Mali i përmendur dhe nga Lord Bajroni, është një nga pikat më atraktive për ngjitësit e majave të jugut të Shqipërisë.
Çika është çatia e rivierës shqiptare. Ndan detin Jon nga luginat e malësive të Jugut. Mali i Çikës është 2045 metra i lartë dhe konsiderohet si një nga majat më të larta të relievit të thyer shqiptar. Për alpinistët profesionistë është një nga zonat më sfiduese që përdoret për stërvitje dhe ski gjatë sezoneve të përshtatshme. Çika mbi malet e Llogorasë është një nga ndalesat e përfshira në guidat e shumë agjensive turistike, për zbavitje pranë natyrës dhe për ecje të një niveli vështirësie të konsiderueshëm.
Formacioni shkëmbor
Sipas studiuesve shpati perëndimor i Malit të Çikës është një harmonizim i shkëputjeve shkëmbore të shkaktuara nga lëvizje të hershme tektonike. Blloqet e mëdhenj të shkëmbinjve duket sikur kanë rënë mbi njëri tjetrin, madje e parë nga lartë duket sikur mali formon shkallë deri poshtë në brigjet e detit Jon. Pjesa që nuk shihet nga deti është thuajse e thepisur, bie mbi luginat e malësive të Shushicës dhe njihet për humnera të thella e të pjerrëta.
Parnorama
Ajo çfarë vështron kur ngjitesh mbi Malin e Çikës është padyshim mbresëlënëse dhe e paharrueshme. Një hapësirë e pamatë që numëron tre toka të tjera në distancë; gadishullin e Karaburunit, ishullin e Sazanit dhe atë grek të Korfuzit. Ngjitja e udhëhequr nga guida profesionale ju ka lodhur, por pamja që do të shijoni në majë e bën çdo lodhje të justifikuar. Së largu duken plazhet blu të Himarës, Palasës, Dhërmiut dhe Jalës.
Maja e Çikës është pika ku takohen alpinistët profesionistë nga e gjithë Evropa. Por shpatet e këtij relievi të fortë shqiptar janë streha e barinjve të zonës. Sipas tyre bimësia e egër e kreshtave të jugut është ushqimi i duhur për bagëtitë. Imagjinoni bulmetin që del nga këto kullota të pastra, tërësisaht të rritura në mënyrë natyrale ku dora e njeriut nuk dëmton dot.
Burimi: Into Albania