Në datën 9 nëntor 2022, u zhvillua mbledhja e tetë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP). Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e Komitetit, zj. Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë.
Përveç anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave – si Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe Kryetari i Komitetit të Pagesave pranë kësaj shoqate etj. – në mbledhje merrnin pjesë dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, si dhe përfaqësues nga: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare; Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit; Banka Botërore; dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga bankat, institucionet financiare jobanka, operatorët e skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.
Aktiviteti u hap nga Zëvendësguvernatorja Minxhozi dhe u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se në rolin e autoritetit monetar, rregullator e mbikëqyrës, Banka i vlerëson përfshirjen financiare dhe edukimin financiar, si dy objektiva strategjikë mjaft të rëndësishëm për stabilitetin monetar e financiar të vendit, formalizimin e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Në këtë kuadër, masat e marra deri më tani kanë reflektuar zhvillime mjaft pozitive në treg, duke bërë të mundur përmbushjen e objektivave sasiorë të synuar, pothuajse në gjysmën e rrugëtimit të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël.
Guvernatori Sejko shtoi se në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë në vit, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrijë nivelin prej 16 pagesash për frymë. Gjithashtu, volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritje e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhë.
Guvernatori Sejko u shpreh se këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë. Falë të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Llogarive, Banka e Shqipërisë disponon një pamje më të saktë dhe lehtësisht të përditësueshme mbi përfshirjen financiare të popullsisë. Këto të dhëna diktojnë se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari.
“Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër, ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian.” – tha Guvernatori.
Ai theksoi se, me qëllim mbështetjen e zhvillimeve të tregut, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore për zbatimin e strategjisë.
Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori u shpreh se, në kuadër të materializimit sa më efikas të masave të analizuara në këtë strategji dhe më gjerë, po punohet gjithashtu edhe për krijimin dhe zbatimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar.
Në vijim fjalën e mori Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, zj. Delina Ibrahimaj. Në fjalën e saj, zj. Ibrahimaj përmendi një sërë projektesh të ndërmarra nga ministria dhe qeveria, të cilat mbështesin digjitalizimin e shërbimeve qeveritare dhe formalizimin e ekonomisë shqiptare, duke u ndërlidhur ngushtë me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Në këtë kuadër, zj. Ibrahimaj i kushtoi vëmendje procesit të fiskalizimit dhe ligjit “Për shërbimet e pagesave”, të cilët, pavarësisht se rregullojnë fusha të ndryshme, ndërlidhen me njëri-tjetrin për digjitalizimin tërthor të procesit. Gjithashtu, zj. Ministre përmendi edhe lehtësitë që krijon Regjistri Kombëtar i Llogarive për matjen dinamike të përfshirjes financiare të popullsisë. Një hap i rëndësishmen në kuadër të përfshirjes financiare i ndërmarrë nga qeveria është edhe kalimi i pensioneve nëpërmjet postës shqiptare dhe krijimi i projektit të kartës sociale.
Në vijim, Ministrja Ibrahimaj theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me Bankën e Shqipërisë për nisma të ndryshme ligjore, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, si dhe nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi midis MFE-së, BSH-së, AKSH-it dhe SHSHB-së, në lidhje me digjitalizimin e pagesave për shërbime shtetërore e publike.
Pas fjalimeve përshëndetëse, mbledhja vijoi me diskutime në nivel teknik. Në panelin e parë, i cili u udhëhoq nga Zëvendësguvernatorja Minxhozi, diskutimet u fokusuan në edukimin financiar dhe nevojën për një ndërhyrje strategjike në nivel kombëtar në këtë drejtim. Lidhur me këtë u mbajt një prezantim nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, i cili trajtoi në mënyrë konkrete Strategjinë Kombëtare të Edukimit Financiar dhe mundësitë e zbatimit të saj në praktikë. Gjithashtu, zj. Mimoza Kaci, përfaqësuese e lartë e AMF-së, prezantoi nismat e këtij institucioni në lidhje me edukimin financiar dhe bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë në këtë drejtim. Ndërkohë, zj. Edlira Dashi, përfaqësuese e Bankës Botërore, bëri një analizë të thelluar të situatës në Shqipëri, si dhe prezantoi praktikat më të mira dhe hapat e nevojshëm për të ardhmen në lidhje me Strategjinë Kombëtare të Edukimit Financiar.
Mbledhja e tetë e KKSP-së vijoi me panelin e dytë, të udhëhequr nga z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave, i cili u fokusua në promovimin e inovacionit të tregut nëpërmjet open banking dhe instant payment. Fillimisht, z. Bledar Shella, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, prezantoi zhvillimet dhe projektet më të fundit të tregut, të cilat diktojnë qartazi inovacionin dhe digjitalizimin e tregut të pagesave në Shqipëri.
Paneli vijoi me një prezantim të z. Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, mbi rregullimin e open banking dhe Autentifikimin e Thelluar të Klientit – dy elemente mjaft të rëndësishme për funksionimin efikas dhe të sigurt të shërbimeve inovative të promovuara nga ligji “Për shërbimet e pagesave”. Diskutimet e këtij paneli përfunduan me prezantimin e gjetjeve të Bankës së Shqipërisë nga studimi i realizueshmërisë së projektit Instant Payment në Shqipëri, i prezantuar nga zj. Valentina Semi, Zëvendësdrejtoreshë pranë Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës.
Në panelin e tretë dhe të fundit të kësaj mbledhjeje, të udhëhequr nga zj. Brunilda Isaj, Sekretare e Përgjithshme pranë Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, fokusi u vu në shërbimet inovative të ofruara nga aktorë të ndryshëm të tregut, në linjë me Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël dhe ligjin “Për shërbimet e pagesave”.
Në përfundim, duke u bazuar në diskutimet e mbledhjes, Kryetarja e Komitetit, Zëvendësguvernatorja Minxhozi, rekomandoi vijimin e përpjekjeve për promovimin e edukimit financiar në nivel kombëtar, si dhe intensifikimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve për realizimin e open banking dhe instat payment në Shqipëri.
Burimi: Banka e Shqiperise