Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunon fort me prodhuesit në zonat rurale të vendit, me qëllim nxitjen e produkteve autentike të certifikuara me treguesit gjeografikë dhe emërtim të origjinës, si asete të çmuara për tregjet me vlerë të shtuar.
Vit pas viti numri i regjistrimeve që fitojnë mbrojtjen sipas kuadrit ligjor është në rritje duke krijuar kështu një numër në rritje të produkteve shqiptare që identifikohen me origjinën e tyre.
Vitin e kaluar Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale i dha certifikatë regjistrimi për emërtim origjine, “djathit Mishavinë të Bjeshkëve të Kelmendit”. Ndërkohë që DPPI ka regjistruar si produkte të mbrojtura me tregues gjeografik, gështenjën e Tropojës, gështenjën dhe mjaltin e Reçit, boronicën e Bjeshkëve të Tropojës dhe e Bjeshkëve Kuksiane, jufkat dibrane, mishin e dhisë së Hasit, etj.
Djathi i mishavinës së Bjeshkëve të Kelmendit, i regjistruar së fundi ka karakteristikë të veçantë. Në traditën vendase, djathi i mishavinës, është produkti që përdoret për të respektuar mikun, për të cilin ata ndihen krenarë.
Djathi Mishavina në fillim të këtij viti mori edhe nga Ministria e Bujqësisë certifikim si produkt i origjinës shqiptare bashkë me tre produkte të tjera si Mjalti i Bedunicës, Djathi i Ziem i Veleçikut dhe Djathi i Dhisë nga Bjeshkët e Rrunjës, ndërsa puna po vazhdon edhe për produkte të tjera që vlerësohen si krenari e historisë sonë të prodhimit bujqësor, ndër të cilat: vaji “Valm”, vaj i prodhuar me ullinjtë autoktonë të zonës së Elbasanit. Vaji i Ullirit të zonës së Tiranës, me ullinjtë autoktonë të zonës; vaj ulliri “Kalinjot”, ullinjtë autoktonë të Vlorës; molla e Dvoranit, kumbulla e thatë e Dibrës; glikotë e Përmetit; domatja e Shëngjergjit; gjeli i detit i Baldushkut, etj.
Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se regjistrimi i produkteve si tregues gjeografik dhe emërtim origjine ka marrë një rëndësi të veçantë. Produktet të cilat mbrohen si tregues gjeografik dhe emërtim origjine, pasi certifikohen u vendoset një logo, e cila i dallon nga produktet e tjera në tregun vendas, ndërsa mbeten ndër produktet më të kërkuara nga eksporti.
Burimi: ATSH