Mbi shtëpinë e vogël të gjyshit në Theth, Fatmir Berishta ka ngritur “Hotel Alpet”, për të pritur turistët vendas e të huaj.
Përveç hotelit, Fatmiri ka ndërtuar edhe Zip Line, një sport ekstrem, për tërheqjen e më shumë vizitorëve, duke promovuar kështu bukuritë natyrore të kësaj zone.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizitoi Thethin, ku bashkëbisedoi me Fatmir Berishtën, lidhur me mikpritjen që ai u ofron turistëve.
“Fatmir Berishta, djali i Thethit mbi shtëpinë e vogël të gjyshit, aty ku miqtë bujtnin duke iu gëzuar mikpritjes karakteristike, me vizion, shumë guxim dhe energji të mirë ka ngritur “Hotel Alpet” për t’i ofruar turistëve nga e gjithë bota më të mirën e traditës sonë, ku çdo vizitor nuk trajtohet si thjesht si klient, por si mik. Lajmi i mirë është se Fatmiri nuk është i vetmi. Me dhjetëra bujtina kanë hapur dyert në Theth dhe funksionojnë në 365 ditët e vitit në ekonominë e mikpritjes”, theksoi Kumbaro.
“E kemi nisur me shtëpinë e gjyshit. U takova rastësisht me një familje holandeze që erdhi në Theth dhe donin të gjenin një vend për të fjetur dhe unë i ftova në shtëpinë time. Kur erdhën, babai më tha ‘mos guxo t’i marrësh lekë, se nuk kemi traditë t’u marrim lekë’. Ata ndenjën 3 netë, por kur ikën kishin edukatën të paguanin, por iu thashë ‘e bëra për mikpritje’ dhe ata na lënë diçka dhuratë”, tregon Berishta.
Berishta e kuptoi nga ajo përvojë që turizmi është diçka që ia vlen të merresh dhe të investosh.
“Në çdo bujtinë në Theth ka mikpritje, ushqim të mirë. Ne në Theth njerëzit i quajmë mysafirët tanë”, tha Berishta.
Parku Kombëtar i Thethit, i gjendur mes Alpeve në veri të Shqipërisë, është shndërruar në destinacion të preferuar të turizmit alpin./ATSH