Edhe pse një destinacion evropian jo shumë i njohur, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më popullore. Vendi mesdhetar ndodhet në Evropën Juglindore, në kufi me Greqinë në jug, Malin e Zi në veri dhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në lindje, shkruan Felix Gott në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Islands”.
Shqipëria është vendi i fundit evropian – ku mund të shmangni turmat turistike dhe të zbuloni peizazhet malore mahnitëse dhe plazhet fantastike të Adriatikut.
Turistët që vendosin të udhëtojnë në një vend relativisht të panjohur dhe të eksplorojnë Shqipërinë, shpesh vendosin të zbulojnë kryeqytetin, Tiranën, dhe të shkojnë në Bjeshkët e Nemuna në veri ose plazhet e Ksamilit në jug.
Dhe ky është një gabim i madh. Tirana është një nga perlat më autentike të fshehura të Evropës. Është një qytet i përshtatshëm për buxhetin dhe për shëtitje, me një kulturë të lakmueshme kafeneje dhe një jetë të mrekullueshme nate.
Falë mungesës së ekspozimit ndaj qarkut turistik, Tirana mbetet një vitrinë autentike e jetës dhe kulturës shqiptare dhe një vend i shkëlqyer për t’u përfshirë në çdo itinerar shqiptar.
Arti i rrugës, arkitektura osmane dhe reliket komuniste
Në pamje të parë, Tirana mund të mos duket si destinacioni kryesor evropian për pushime në qytet.
Tirana nuk ka një qytet të vjetër mesjetar piktoresk – kalaja e saj e epokës bizantine është kthyer në një qendër tregtare – dhe Lumi i Lanës nuk është Sena apo Danubi.
Por, ajo që i mungon në monumentet tradicionale turistike, kompensohet me pamjet magjepsëse, të çuditshme dhe eklektike dhe aktivitetet e përballueshme që ky qytet iu mundëson të bëni.
Filloni në Sheshin Skënderbej, në zemër të Tiranës, për të vizituar pikat e njohura turistike.
Këtu do të gjeni gjithçka të mrekullueshme; nga xhamia e epokës osmane dhe një përzgjedhje ndërtesash të bukura me ngjyra të ndezura deri te atmosfera e gjallë e krijuar nga vendasit kur afrohet mbrëmja.
Nga Sheshi Skënderbej, ia vlen të vizitoni Bunk’Art 2, një nga muzetë e vendosur në ish-bunkerët e epokës komuniste.
Këto pika magjepsëse shërbejnë si një kujtesë e prekshme e anës së errët të historisë së Tiranës.
Gjithashtu ia vlen të shkoni drejt Piramidës së Tiranës.
Ky ndërtim unik u ndërtua fillimisht si monument dhe muze i ish-liderit komunist Enver Hoxha.
Struktura iu nënshtrua një rinovimi dhe u rihap si një qendër teknologjike dhe atraksion turistik në vitin 2023 – duke i lejuar njerëzit të lëvizin lirshëm drejt majës së saj.
Një tjetër mënyrë fantastike për të zbuluar bukurinë e qytetit është me një turne të artit në rrugë.
Tirana është një qytet i ngjyrave, si në ndërtesat e saj pastel ashtu edhe në artin e saj tepër inovativ dhe tërheqës në rrugë.
Ka murale, skulptura dhe vepra arti të ndërlikuara grafiti kudo që të ktheheni, dhe pamjet do t’ju udhëheqin në një shëtitje nëpër qytet – si një mënyrë e shkëlqyer për të eksploruar.
Ushqim i shijshëm dhe i përballueshëm dhe jetë nate plot gjallëri
Kur perëndon dielli, Tirana vjen vërtet në vete. Ky nuk është një qytet që i ka tejkaluar tendencat, por atmosfera e bareve dhe restoranteve është autentike dhe jashtëzakonisht e kënaqshme.
Zona e Bllokut është e përsosur për një natë emocionuese dhe të pazakontë, plot me lokale ku shërbehen kokteje të liran dhe bare me një atmosferë krejtësisht alternative.
“Pan’s Taproom” është një vend i mrekullueshëm për të nisur natën, me një përzgjedhje të jashtëzakonshme pijesh shqiptare, si birra.
“Illyrian Saloon” ofron muzikë live për fansat e rock-ut, ndërsa “Radio Bar” ofron një menu interesante kokteji me një atmosferë të sofistikuar.
“Bar Oslo” në Komunën e Parisit zakonisht është plot me vendas nga e premtja në të dielë falë hapjes 24-orëshe.
Ushqimi në Tiranë është një eksperiencë e mrekullueshme. Ku tjetër në botë mund të gjeni një menu me shije të jashtëzakonshme për më pak se 35 dollarë për person?
“Mullixhiu” është një vend i mrekullueshëm inovativ, një kabinë prej druri në zemër të qytetit që ofrohen pjata të vogla të shijshme si pjesë e një menuje të kuruar me profesionalizëm.
Nëse preferoni diçka pak më lokale, “Restorant Era” përgatit shije tradicionale shqiptare më mirë se kudo tjetër në Tiranë./ATSH