Duka dhe Dukesha e Sussex kanë bërë ecjen e tyre të parë në publik në New York së bashku – dalja e tyre e parë e madhe që kur lindi vajza e tyre.
Meghan tha se ishte “e mrekullueshme të kthehesh” në qytet pasi ata vizituan vendet e lidhura me 11 shtatorin, në muajin që shënon 20 vjet nga sulmet.
Ata po marrin pjesë në një ngjarje në New York këtë fundjavë duke u kërkuar udhëheqësve të miratojnë një politikë të barazisë së vaksinave.
Çifti mirëpriti fëmijën e tyre të dytë, Lilibet Diana, tre muaj më parë.
Ata janë gjithashtu prindër të djalit Archie, i cili mbushi dy vjeç në maj.
Gjatë vizitës në New York, ata vizituan One World Trade Center, e ndërtuar në vendin e Kullave Binjake të shkatërruara në sulmet e 11 shtatorit.
Ata pozuan për fotografi në krye të qiellgërvishtësit, së bashku me kryebashkiakun e New York, Bill de Blasio dhe Guvernatorin e Shtetit të New York Kathy Hochul.
Më vonë çifti, të cilët kanë jetuar në Kaliforni që nga fillimi i pandemisë, bënë nderimet e tyre në sheshin përkujtimor të 11 Shtatorit. Ata panë nga një pishinë reflektuese ku ishte njëra prej kullave, dhe gjithashtu vizituan Muzeun Përkujtimor të 11 Shtatorit.
Çifti, i cili dha dorëheqjen si anëtarë të familjes mbretërore në Mars 2020, bëri shenjë te fansat të cilët bërtisnin emrat e tyre ndërsa largoheshin nga vendi.
De Blasio shkroi në Twitter: “Tragjedia e 11 shtatorit preku të gjithë botën, dhe ajo ndihet edhe sot. Ne jemi të nderuar të bashkohemi me Princin Harry dhe Meghan, Duka dhe Dukesha e Sussex, në One World Observatory.”
Të shtunën, ata do t’i bashkohen transmetimit 24-orësh Global Citizen Live që po mbahet në vende përfshirë Parkun Qendror të New York.
Global Citizen ka organizuar një numër shfaqjesh në qytete në të gjithë botën, nga Londra në Lagos, me artistë interpretues duke përfshirë Sir Elton John, Kylie Minogue dhe Coldplay.
Burimi: BBC News