Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), i cili në emër të Qeverisë Zvicerane zhvillon programin e asistencës teknike në mbështetje të bankave qendrore. Një tjetër hap kyç drejt përmirësimit të politikave monetare dhe financiare në vendin tonë, për të forcuar më tej ekonominë dhe sistemin financiar të Shqipërisë.
“Marrëveshja e sotme e zgjeron fokusin e saj, në tre çështje:Së pari, duke i qëndruar besnik objektivit tonë kryesor për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit, bashkëpunimi synon të forcojë më shumë rolin tonë në formulimin dhe zbatimin e politikës monetare, si dhe në promovimin e stabilitetit financiar. Së dyti, duke synuar rritjen e rezistencës ndaj turbulencave të mundshme në ekonominë globale, tregun e brendshëm dhe sistemin financiar, bashkëpunimi do t’i kushtojë vëmendje të veçantë politikave të de-euroizimit, rritjes së qëndrueshmërisë të sektorit bankar dhe zgjerimit të gamës së instrumenteve dhe shërbimeve financiare në shërbim të biznesit dhe familjeve. Së treti, ne synojmë të sigurojmë një sistem avangardë/bashkëkohor të pagesave që është i aftë të ofrojë zgjidhje të shpejta, eficiente dhe me kosto minimale për shërbimet financiare tradicionale edhe ato novatore. Përmes tij dhe edukimit financiar, Banka e Shqipërisë synon të promovojë dhe të rrisë përfshirjen financiare të populates, tha Sejko.
SECO sjell në këtë marrëveshje, kontributin e akademisë, bankave qendrore të vendeve të zhvilluara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, përfundoi deklaratën e tij guvernatori Sejko.