Në Shtëpine e Biznesit u zhvillua një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech, mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare. Të pranishëm në takim ishin Ministri i Financave, Ervin Mete, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i BSH, Gent Sejko, si edhe drejtues të Shoqatës së Bankave, sektorit bankar dhe institucioneve të parasë elektronike.
Në tryezë u diskutua për ofrimin e shumë zgjidhjeve alternative në fushën e pagesave që mundëson uljen e kostove të transaksioneve, të informalitetit dhe të qarkullimit të parasë dorë më dorë.
Ministri Mete u shpreh se digjitalizimi dhe qasja ndaj teknologjisë tashmë është kthyer në një objektiv kryesor dhe ndërsektorial jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë në nivel europian apo botëror, sidomos pas pandemisë Covid-19. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk mund të mbetet më e mbyllur karshi inovacionit të sistemit bankar .