Ministri i Financave, Ervin Mete është shprehur se rritja e vlerësimit nga Standard & Poor’s për Shqipërinë merr një rëndësi edhe më të veçantë në kushtet e një situate sfiduese të ekonomisë globale, pasi një pjesë e konsiderueshme vendesh kanë patur rënie të vlerësimit nga agjencia ndërkombëtare.
“Ky vlerësim nënvizon besimin në aftësinë tonë për të përballuar sfidat ekonomike, duke forcuar në të njëjtën kohë bazat financiare. Ai përbën një certifikim të strategjisë sonë të rritjes dhe praktikave të menaxhimit të financave publike,” ka thënë ai.
Mete është shprehur gjithashtu se vlerësimi forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit pasi tani vendi do të perceptohet më pozitivisht nga investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri dhe kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, si edhe kushte më të lehtësuara për huamarrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Ky përmirësim pritet po ashtu të reflektohet dhe në tregun vendas, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët. Ngjitja me një kategori vlerësimi nga Standard & Poor’s konfirmon situatën e mirë që po kalon ekonomia e vendit, qëndrueshmërinë e financave publike dhe pritshmërinë pozitive për reformat e ndërmarra.
S&P nënvizon se ky përmirësim i vlerësimit vjen si një njohje e rezistencës së fortë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.
“Vlerësimi më i fundit i agjencisë ndërkombëtare nxit vendosmërinë tonë për të synuar një rritje më të lartë ekonomike dhe arritjen e objektivave ambicioze të zhvillimit, si dhe forcimin e mëtejshëm të financave publike. Avancimi në procesin e integrimit europian është një shtysë e rëndësishme për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe plani i rritjes i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, që shoqëron ndërmarrjen e reformave të rëndësishme, presim të shërbejë po ashtu si mbështetje solide në këtë drejtim”, thekson Mete.
Marrë nga Scan