Energjia diellore ka marrë vëmendje të madhe sidomos në kushtet e krizës duke nxjerrë në pah edhe më shumëne vojën për diversifikimin e sektorit energjitik në vendin tonë, i cili është i varur plotësisht nga prurjet hidrike.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullimit të Territorit janë miratuar 26 leje ndërtimin për prodhimin e energjisë elektrike. KKT ka dhënë tre leje ndërtimi për parqe eolike, për përfitimin e energjisë nga era. Lejet janë miratuar në fshatin Kryevidh në bashkinë e Rrogozhinës, në Bashkinë Fushë-Arrëz ndërsa parku i tretë është me vendndodhje në Tragjasë (Maja e Stogut) pjesë e bashkisë Vlorë. Kapacitetet e këtyre parqeve të erës janë 75 MW secili.
Ndërsa numrin më të madh, plotë 23 leje ndërtimi janë dhënë për impiante gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike. Shumica e këtyre parqeve fotovoltaikë të cilët shfrytëzojnë energjinë diellore për prodhimin e energjisë elektrike janë në bashkinë Fier, ndërsa dy janë në në Kolonjë të Korçës. Bashkia Fier i ka të përqëndruara 21 impiantet gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në fshatin Povleçë dhe Topojë.
Kapaciteti i këtyre parqeve fotovoltaike është deri në 2 MW.
Këto janë impiante që do të ndërtohen sipas legjislacionit në fuqi dhe ku çmimi i blerjes së energjisë së tyre caktohet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë.
Veç këtyre parqeve KKT ka miratuar edhe disa leje ndërtimi për hotele dhe kompleks turistik në gjirin e Lalzit, në zonën e plazhit në Durrës, në Vlorë si dhe leje për residencë me struktura banimi me shërbime ndihmëse, në Lundnër Tiranë.
Po ashtu janë dhënë Leje për struktura shërbimi në stacionet e plazhit, me vendndodhje në Bashkitë Pogradec, Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.