Ndonëse Shqipëria nuk ka ende një treg funksional të gazit natyror, qeveria ka miratuar vendimin për statusin e klientit të nevojë për furnizimin me gaz natyror. Këtu përfshihen klientët familjarë, të cilët për shkak të gjendjes sociale, do të duhet të gëzojnë disa të drejta të veçanta, lidhur me furnizimin me gaz, që nënkupton kompensim të shpenzimeve për konsumin e gazit natyror.
Sipas vendimit, mbështetja financiare varion nga 50% në 100% të kostove të konsumit, në varësi të kategorisë që i përket klienti që do të kategorizohet në nevojë. Këtu përfshihen familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe fondit 6%, familjet që kanë anëtarë persona me aftësi të kufizuar, pensionistët, invalidët e punës, si dhe të verbrit, që gjithsesi do të duhet të vërtetojnë gjendjen e të ardhurave të ulta, në raport me pagën minimale në fuqi.
Po ashtu, përveç nivelit të të ardhurave, klientët familjarë e përfitojnë statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, nëse përmbushen edhe disa kritere të tjera e më konkretisht kur gazi natyror përdoret si burim kryesor për ngrohje apo përgatitjen e ushqimit në banesën ku jeton familja në fjalë, si dhe pajisjet e gazit natyror të lidhen me sistemin e shpërndarjes së gazit natyror përmes pajisjeve matëse të instaluara. Dokumenti specifikon se ky vendim do t’i shtrijë efektet në momentin e operimit të infrastrukturës së gazit natyror, i cili përmbush kriteret sipas akteve ligjore në fuqi.
Marrë nga Scan Tv