Instituti i Mirëqenies Globale (Global Wellness Institute), i cili njihet si burimi kryesor për kërkime në industrinë e mirëqenies, ka publikuar së fundmi raportin kërkimor mbi ekonominë globale të mirëqenies (The Global Wellness Economy, 2019-2022). Ky raport vlerëson dhe rendit ekonominë e mirëqenies në 218-të vende të botës.
Disa nga fushat kryesore ku bazohet ky raport janë kujdesi personal dhe bukuria; ushqimi i shëndetshëm, ushqyerja dhe humbja e peshës; aktiviteti fizik; mjeksia tradicionale dhe plotësuese; shëndëti publik; mirëqenia mendore; mirëqenia në vendin e punës si dhe fusha të tjera të cilat lidhen më shëndëtin dhe mirëqenien në tërësi. Mes 218-të vendeve të marra në studim gjejmë të renditur dhe vendin tonë.
Të dhënat sipas raportit tregojë ekonomia e mirëqenies në vendin tonë, për vitin 2022, zë gati $1.3 miliard të tregut dhe kjo shifër vlerësohet në $463 për frymë. Krahasuar me vitin 2020, kjo vlerë shihet të ketë shënuar rritje si pasojë e rimëkëmbjes nga pandemia.
Sa i përket renditjes, Shqipëria zë edhe për këtë edicion vendin e 102 për madhësinë që zë në treg ekonomia e mirëqenies, për vitin 2022, ndërkohë renditemi në vend të 84-t për shpenzimet për frymë. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e treta sa i përket vlerës së tregut të mirëqenies. E para në renditje është Serbia duke zënë vendin 72-të dhe ekonomia e mirëqenies për këtë vend vlerësohet në $3.7 mld.
Bosnje Hercegovina është e dyta në renditje dhe madhësia e tregut të mirëqenies vlerësohet $1.5 mld. Shqipëria ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovën. Në Kosovë tregu i mirëqenies për vitin 2022 është vlerësuar në $0.5 mld. Shtetet të cilat kryesojnë listën në këtë renditje janë vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Japonia dhe Gjermania.
Sipas të dhënave të raportit, ekonomia e mirëqenie në Shqipëri për vitin 2022 në total vlerësohet se zë rreth 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Theksojmë se analiza bazohet në kërkime të gjera parësore dhe dytësore të kryera nga janari deri në shtator të vitit 2023, duke përfshirë rishikimet e literaturës, hulumtimin e të dhënave dhe intervistat me ekspertë.
Burimet kryesore publike dhe private të konsultuara përfshijnë institucione të rëndësishme si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Organizata Ndërkombëtare e Punës, Organiza Botërore e Turizmit, Statista, Eurostat, etj.
Marrë nga Scan