Në Tiranë ka zhvilluar punimet Konferenca e Nivelit të Lartë “Financa e Gjelbër në Evropën Juglindore: Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e tij në këtë takim shprehu mirënjohje ndaj CEF-it (Center of Excellence in Finance/Qendra e Ekselencës në Financë) për krijimin e mundësisë për biseduar mbi një çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e planetit tonë.
“CEF-i ka qenë një partner i fortë dhe i besueshëm për ne, me të cilin do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të ndërtuar politika që garantojnë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Përmes aktiviteteve të tij, CEF-i kontribuon në arritjen e qëllimeve të Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke promovuar institucione efektive, të përgjegjshme dhe të përfshira në të gjitha nivelet”, tha ai.
Sejko tha se, përballë kësaj situate, sektori financiar luan padyshim një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi, jo vetëm përmes përzgjedhjes e financimit të projekteve të gjelbra, por edhe duke ruajtur ekuilibrin e kërkesë-ofertës në tregje.
“Si një institucion publik, Banka e Shqipërisë është e përkushtuar për të kuptuar dhe trajtuar pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike dhe kalimin në një ekonomi me emetim neto zero. Ne po punojmë për të përshtatur kuadrin regullativ dhe politikat tona me këto ndryshime. Ndarja e njohurive, praktikave, diskutimet, trajnimi i stafit dhe edukimi i publikut, janë të rëndësishëm në këtë proces dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t’i dedikojë burime të mjaftueshme studimit dhe modelimit të efekteve të klimës në stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar”, u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.