Fermerët që kanë aplikuar për subvencione në bujqësi përmes portalit e-Albania por që ende nuk kanë dorëzuar fizikisht dokumentacionin që nuk gjenerohet on line, do të kenë afat deri më 31 korrik për të plotësuar dosjen, sa i takon masave 1-6, që lidhen me mbështetjen direkte të fermerëve në bujqësi, blegtori dhe bletari. Ministria e Bujqësisë ka ndryshuar udhëzimin aktual për administrimin e fondeve ne bujqësi, duke shtyrë afatin, për ti dhëne më shumë kohë aplikantëve.
Po ashtu edhe aplikantët e kualifikuar në fazën e parë, bazuar në listat e shpallura nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duhet të dorëzojnë, brenda datës 31 korrik 2023, dokumentacionin e kërkuar. Dokumentacioni konsiderohet i dorëzuar me depozitimin në Agropikë ose në zyrën qendrore të AZHBR ose i dërguar me postë.
Ndërkohë një lehtësi është bërë sa i takon masës mbështetëse për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit. Tashmë nuk do të jetë me detyrim që aplikuesi të jetë pronar i anijes, pasi jepet mundësia që subjekti mund të jetë edhe posedues sipas kontratave noteriale me pronarin me afat jo më pak se 5 vite nga lidhja e kontratës me AZHBR-në.
Në rastin e posedimit me kontratë, aplikanti duhet të jetë i përcaktuar në lejen e peshkimit. Po ashtu edhe për këtë masë ka shtyrje afatesh me një muaj në nxjerrjen e dokumenteve të anijes. Konkretisht “Referuar tavaneve të financimit, AZHBR-ja njofton aplikantët e renditur mbi vijën e financimit dhe që do të kryejnë riparimet e anijeve në Republikën e Shqipërisë, për nxjerrjen në dokumenteve të anijes jo më vonë se 31 Gusht 2023, në mënyrë që të vijohet me realizimin e kontrollit para lidhjes së kontratës”, thuhet ne udhëzim.
Sa i takon shpërndarjes së kartave me naftë falas tek fermerët, përpos dorëzimit direkt nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor tek përfituesit, ato do të mund të bëhen edhe me postë, ku në këtë rast procesverbali nënshkruhet nga nëpunësi i shërbimit postar.
Burimi: Scan Tv