Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe KfW për financimin e një fondi prej 100 milion euro për sistemin elektroenergjetik shqiptar.
Marrëveshjen për palën shqiptare e nënshkroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ndërsa për palën gjermane Drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, z. Björn Thies, në praninë edhe të Ambasadorit tëRepublikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Peter Zingraf.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministrja Denaj u shpreh, se sektori energjetik në Shqipëri dhe reformimi i tij ka qënë dhe mbetet një nga prioritetet thelbësore në reformat strukturore të ndjekura për ekonominë Shqiptare, ndaj dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është nëzbatim të planit strategjik për reformimin e sektorit të energjisë në Shqipëri.
Sipas Denajt, ky plan strategjik përmban një sërë masash me qëllim krijimin e një tregu të organizuar sipas modelit të Bashkimit Evropian, i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimet e të qenit transparent, jodiskriminues dhe i qëndrueshëm.
Duke falënderuar donatorin Ministrja Denaj, theksoi se marrëveshja e huasë, prej 100 milionë euro, është një mbështetje e madhe e Qeverisë së Republikës Federale për të përmirësuar proceset e reformës sektoriale në sektorin energjetik në Shqipëri.
“Qeveria ka marrë zotimin që të vijojë punën prej disa vitesh tashmë, një punë e cila ka disa rezultate konkrete, duke bërë realitet të plotë funksionimin e Bursës së Energjisë apo ndryshe APEX dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë”, tha Denaj.
Ministrja vlerësoi se sektori i energjisë do të jetëprioritet strategjik edhe në mandatin e tretëqeverisës, vazhdimësi e reformës së nisur edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Peter Zingraf, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare, ndërsa vlerësoi se reformat e ndërmarra nga kjo e fundit janë mbresëlënëse. Ambasadori u shpreh, se përmes kësaj marrëveshje qeveria gjermane mbështet reformën e transformimit të tregut të energjisë në Shqipëri, që është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, pasi synohet të krijohet njëtreg transparent që do nxisë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe do të lehtësojë investimet e sektorit privat në tregun e energjisë.
Një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe KfW e konsideroi marrëveshjen edhe Drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, z. Björn Thies, i cili u shpreh, se energjetika është një sektor me rëndësi në kuadër të këtij bashkëpunimi. Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit të përbashkët.
Huaja me terma të butë prej 100 milion euro ka një maturim prej 12 vjet, duke përfshirë periudhën prej 3 vitesh pa pagesë principali.