Në vendin tonë, recetat vijojnë të shkruhen me dorë nga mjekët dhe kjo gjë, siç shpjegojnë edhe farmacistët, sjell problematika të ndryshme. Farmacistja Alketa Bicja tregoi në “Diagnozë” nga Freskida Miloti sesi mund të përmirësohet trekëndëshi mjek-farmacist-pacient me aplikimin e recetës elektronike.
“Benefitet e recetës elektronike janë për të tre ne. Për ne që bëjmë leximin e recetës, gjëja më e saktë është kur është e shkruajtur në një mënyrë elektronike jo me shkrim me dorë. Ne hasemi edhe me receta të lëshuara për një muaj, terapi një mujore, të shënuara në letër, por ndërkohë ajo është një recetë e cila… Marrim recetat kardiologjike, recetat e pacientëve hipertensiv, të cilat janë mjekime afatgjata. Në momentin kur receta është elektronike, ajo është një recetë që t’i mund ta rimbushësh dhe mjeku të të japë mundësinë që t’i ta rijapësh me muaj të tërë. Ndërkohë që sot kjo nuk ekziston.”
Bicja tregon rastin e një medikamenti “Lumineli” që ngatërrohet me “Luminalin”. Pra, pacientët kanë marrë medikamentin e gabuar për shkak të mosdeshifrimit të duhur të recetës së shkruar me dorë.
“Kemi jashtëzakonisht shumë përvoja, jo një. Siç ju shpjegova pak më parë, ka medikamente të cilat ndryshojnë njëri nga tjetri vetëm me një gërmë. Kjo e rrit shumë marzhin e gabimit të deshifrimit të një recete. Për shembull ka ndodhur në dijeninë time, ka pasur receta të sistemit nervor-qendror, të përshkruar nga mjekë psikiatër. Një shembull, kur është futur për herë të parë bari “Luminel” në Shqipëri, ngatërrohej rëndomtë me “Luminal”. Me po të njëjtin sistem, me po të njëjtat fushë veprimi të medikamenteve, dy medikamente të cilët ndryshonin me njëri-tjetrin vetëm me një gërmë.”
Një tjetër problem që përmend farmacistja janë recetat pa emër, pa moshë, pa datë apo edhe pa vulë. “Këto janë disa problematika që ne i hasim shpesh…Mosha do të thotë shumë për atë çfarë është përshkruar më poshtë. Që nga data që ajo recetë është lëshuar. Në Shqipëri akoma në popullatë lë për të dëshiruar një recetë e plotësuar me të gjitha elementet e saj. Përbën lehtësi si për atë që e ekzekuton, si për atë që e shkruan dhe në fund për pacientin. Ai është përfituesi kryesor.”