Shumë të huaj që më parë parapëlqenin të kishin një shtëpi banimi në Sarandë, të orientuar prej çmimeve më të lira se tregjet e rajonit sivjet, për shkak të çmimeve të larta, sipas Eron Çumanit, nga agjencia e pasurive të patundshme “Saranda Property” po e zhvendosin kërkesën drejt marrjes së pronave me qira me afat deri në një vit.
Në treg konstatohet gjithashtu shtimi i ofertës. Sipas z. Çumani, kjo u ndikua tërësisht nga ndryshimet ligjore për formalizimin e qirasë ditore.
“Tregu i qirasë afatgjatë ka filluar të aktivizohet. Shumë shtetas të huaj po orientohen te kërkesa për marrje të pronave me qira me afat 6 deri në 12 muaj. Kërkohen më tepër apartamente të vogla 1+1. Këto prona nuk jepeshin me qira afatgjatë më parë nga pronarët.
Oferta sivjet është rritur, pasi një pjesë e pronarëve nuk duan të jenë të regjistruar në platformat ndërkombëtare të qiradhënies ditore pas ndryshimeve ligjore për formalizimin e tregut dhe mundësi investimi shohin dhënien me qira afatgjatë”, pohoi ai.
Stela Dhami, nga agjencia ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme “Colliers Albania”, u shpreh më herët se muajt e fundit të vitit të kaluar do të ishin periudhë testi për pronarët e këtyre pasurive që më pas një pjesë e tyre, nga pamundësia e menaxhimit, do të rimendojnë strategjinë për t’i vendosur pronat si pjesë të tregut afatgjatë.
Nga 1 nëntori 2023, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u kërkoi pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking. P.sh. nëse qiraja ditore e një shtëpie është 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro.
Tashmë Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, pra 20% të 12-18 eurove, ose 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë, Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare.
Ndërsa shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve ishte që nëpërmjet këtyre pagesave, të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.
Pas identifikimit nga Tatimet, individët pronarë kanë dy alternativa:
E para, ata mund të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në Tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja.
E dyta, të regjistrohen si subjekt tregtar i kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%.
Marrë nga Monitor