Një çift leopardësh të rrallë persianë, të parë në Pakistan për herë të parë vitin e kaluar janë filmuar dhe fotografuar në botën e egër, thanë zyrtarët të premten.
Sharifuddin Baloch, një zyrtar i lartë i ruajtjes në provincën Balochistan, tha se dyshja u panë për herë të parë nga rojet në Parkun e Kafshëve të egra Hazarganji gjashtë muaj më parë.
Leopardët e rritur janë të vetmuar në natyrë dhe bashkohen vetëm për t’u çiftuar.
“Ne pajisëm stafin tonë me kamera dhe dylbi për të filmuar çiftin dhe për të marrë fotografi,”-tha Baloch. “Këtë muaj stafi ynë pati sukses.”
Leopardët persianë janë një nën-specie e panterave, vendase në Turqi, Iran, Afganistan dhe Kaukaz. Sidoqoftë, ato janë jashtëzakonisht të rrallë dhe renditen nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) si të rrezikuara.
Më pak se 1’000 besohet të ekzistojnë në botën e egër, me 200 të tjerë në robëri.
“Ne jemi duke ndërmarrë hapa për të mbrojtur speciet e rralla,“-i tha Baloch AFP, duke shtuar se zyrtarët po ndanin të dhëna me IUCN.
Videoja e filmuar nga zyrtarët e parkut tregon një nga leopardët të kamufluar bukur në një kodër të thyer dhe shkëmbore derisa ngrihet dhe largohet. Baloch tha se nuk kishte asnjë filmim të mëparshëm të krijesës në Pakistan.
Panthera tulliana është më e madhe dhe ka një model ndryshe nga leopardi më i zakonshëm indian (panthera fusca) që gjendet në të gjithë Pakistanin. Pakistani është gjithashtu shtëpia e leopardëve të dobët të borës (panthera uncia) në Himalajet veriore.
Burimi: AFP