Njerëzit në mbarë botën janë më pesimistë për perspektivën ekonomike se kurrë më parë dhe i besojnë bizneseve shumë më tepër sesa institucioneve të tjera, të tilla si qeveritë, organizatat jofitimprurëse dhe mediat, në një botë që po bëhet gjithnjë e më e ndarë, sipas një sondazhi nga firma e marrëdhënieve me publikun, Edelman.
I publikuar të dielën vonë, në prag të mbledhjes së elitave të biznesit dhe liderëve të qeverive në Forumin Ekonomik Botëror këtë javë në Davos të Zvicrës, sondazhi në internet i kryer në 28 vende tregon se gjithnjë e më pak njerëz besojnë që familja e tyre do të jetë në një gjendje më të mirë ekonomike pas pesë vitesh.
Shifra e atyre që besojnë se do të jenë më mirë ekonomikisht ra në 40% nga 50% vitin e kaluar, duke arritur kështu nivelin më të ulët të të gjitha kohërave në 24 vende. Kjo për shkak se 89% e të anketuarve kanë frikë se do të humbasin punën e tyre, 74% shqetësohen për inflacionin, 76% janë të shqetësuar për ndryshimin e klimës dhe 72% druhen nga një luftë bërthamore.
Barometri Edelman Trust thotë gjithashtu se 62% e të anketuarve i konsiderojnë bizneset si kompetente dhe etike, krahasuar me 59% që kanë të njëjtin vlerësim për agjencitë joqeveritare, 51% për qeveritë dhe 50% për median. Kjo i atribuohet mënyrës sesi kompanitë trajtuan punonjësit gjatë pandemisë COVID-19 dhe rikthimin në zyra, si dhe faktit që shumë biznese u zotuan të ndërprisnin aktivitetin e tyre në Rusi pas pushtimit të Ukrainës.
Njerëzit gjithsesi u shprehën se nuk u besonin CEO-ve, drejtuesve të qeverive dhe gazetarëve, por kanë besim te drejtuesit e korporatave të tyre, te kolegët dhe te fqinjët. Shkencëtarët ishin ata që besoheshin më shumë – nga plot 76% e të anketuarve.
“Niveli i shtuar i besimit te bizneset sjell edhe pritshmëri më të larta se kurrë më parë për CEO-të që të jenë zëra të rëndësishëm në çështjet sociale,” tha Richard Edelman, CEO i Edelman. “Me një raport gjashtë me një, të anketuarit duan më shumë përfshirje sociale të bizneseve në çështje të tilla si ndryshimet klimatike, pabarazia ekonomike dhe rikualifikimi i fuqisë punëtore.”
Por, kompanitë përballen edhe me kritika nëse përfshihen në këto tema, pasi 52% e të anketuarve thonë se bizneset nuk mund të shmangin politizimin kur trajtojnë disa çështje delikate sociale.
Pavarësisht nga pasiguria, njerëzit duan që kompanitë t’i mbrojnë ata: 63% thonë se kryejnë blerje ose mbrojnë markat e disa kompanive për shkak të besimeve dhe vlerave që ato ofrojnë.
Shumica e të anketuarve thonë se bizneset duhet të bëjnë më shumë, jo më pak, për të trajtuar çështje si ndryshimet klimatike, pabarazia ekonomike dhe probleme të tjera.
Burimi: France 24