Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se shpërthimi i përshkallëzimit të lisë së majmunëve në më shumë se 50 vende duhet të monitorohet nga afër, por se situata nuk ka arritur në masën e një emergjence shëndetësore globale.
Në një deklaratë të shtunën, një komitet i urgjencës i OBSH tha se shumë aspekte të shpërthimit ishin “të pazakonta” dhe pranoi se lija e majmunëve – e cila është endemike në disa vende afrikane – është lënë pas dore për vite me radhë.
“Ndërsa disa anëtarë shprehën pikëpamje të ndryshme, komiteti vendosi me konsensus të këshillojë drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së se në këtë fazë shpërthimi duhet të përcaktohet se nuk përbën një emergjencë globale shëndetësore”, tha OBSH në një deklaratë.
OBSH megjithatë vuri në dukje “natyrën emergjente” të shpërthimit dhe tha se kontrollimi i përhapjes së tij kërkon një përgjigje “intensive”.
Komiteti tha se shpërthimi duhet “të monitorohet nga afër dhe të rishikohet pas disa javësh”. Por do të rekomandonte një rivlerësim përpara asaj kohe nëse shfaqen disa zhvillime të reja – të tilla si rastet midis punonjësve të seksit, përhapja në vende të tjera ose brenda vendeve që kanë pasur tashmë raste, ashpërsia e shtuar e rasteve ose një shkallë në rritje e përhapjes.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreysus mblodhi komitetin e urgjencës të enjten pasi shprehu shqetësimin për epideminë e lisë së majmunëve në vendet që nuk e kanë raportuar më parë sëmundjen.
“Ajo që e bën shpërthimin aktual veçanërisht shqetësues është përhapja e shpejtë, e vazhdueshme në vende dhe rajone të reja dhe rreziku i transmetimit të mëtejshëm, të qëndrueshëm në popullatat e cenueshme, duke përfshirë njerëzit me imunitet të kompromentuar, gratë shtatzëna dhe fëmijët,” tha Tedros.
Burimi: Euronews