Daniel Guçe Ekspert i Zhvillimit te SME-ve është ndalur në një anlizë të shkurtër sa i përket efektit të nismës Open Balkan.
Në një postim në rrjetet sociale z.Guce shkruan:
“Në kuadër të Open Balkan: Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria synojnë të heqin praktikisht të gjitha pengesat kufitare për qytetarët dhe bizneset e tyre deri në vitin 2023, duke eleminuar pritjet e gjata dhe të lodhshme për udhëtarët dhe dokumentet e ndërlikuara për kompanitë.”
“Mini-Shengen”, apo nisma e quajtur “Open Balkan” nuk përsërit CEFTA-n në vetvete, pasi në marrëveshje nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë, por parashikohet bashkëpunim rajonal lidhur me një sërë çështjesh të rëndësishme si: katastrofat natyrore, heqja e dokumenteve të panevojshme dhe përshpejtimit të transportit të mallrave në pikat kufitare, unifikimin praktik të tregjeve të punës, duke proceduar më lehtë me lejet e punës për qytetarët e një vendi në dy vendet e tjera, pranimin reciprok të diplomave dhe kualifikimeve të punës, duke i bërë forcat e punës më të disponueshme në tërheqjen e investimeve të huaja, etj.”
Sipas Guçes në mungesë të profesioneve specifike, marrëveshje të tilla për njohjen reciproke të diplomave apo dëshmive për kurset e trajnimit profesional, janë në ndihmë të bizneseve lokale por dhe atyre IHD për të siguruar stafin e duhur.
“Dua të theksoj që kjo marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave e cila është një siguri për bizneset lokale por dhe investimeve të huaja, që të qarkullojnë burimet njerëzore më lehtë brenda Mini Shengenit. Më thjeshtë akoma: Në një treg të kufizuar të tregut të kualifikuar, marrëveshje të tilla japin besim për investimet e huaja në Shqipëri dhe në rajon. Sigurisht, që si në çdo situatë tjetër, edhe në këtë rast kemi argumenta kundra, të cilat lidhen me padobishmërinë e një marrëveshje të tillë, skepticizimin mbi produktivitetin e saj dhe me faktin se sa do të mund të përfitojë Shqipëria. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë se: Shqipëria është pjesë e OBT dhe nëse kjo do të mjaftonte, atëherë CEFTA apo marrëveshje të tjera bilaterale, trilaterale etj, do të ishin gjithashtu të padobishme! Prakticiteti dhe pragmatizmi duhet të na shoqërojnë në rrugën e zhvillimit kombëtar, rajonal e më tej!” – thekson Eksperti i Zhvillimit te SME-ve.