Duke filluar nga data 1 korrik, bankat dhe institucionet financiare të pagesave duhet të jenë gati për të filluar shërbimet e open banking (bankingut të hapur).
Por, megjithëse mungojnë pak ditë nga ky afat, burime nga tregu bëjnë të ditur se ka ngelur ende një pengesë e fundit.
Në fakt, të gjitha bankat janë tashmë gati për të ofruar akses sipas kërkesave të open banking dhe në gjysmën e parë të këtij viti janë zhvilluar testime për këto shërbime.
Por, për të filluar ofrimin e shërbimeve të open banking, të gjitha subjektet, përfshi bankat institucionet e parasë elektronike dhe ato të pagesave që do të ofrojnë shërbime të tilla, duhet të certifikohen për standardet e sigurisë nga një trup i pavarur.
Ligjërisht, kjo mund të bëhet nga një ent certifikues i vendeve të BE-së apo nga një ent kombëtar, që praktikisht është vetëm Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Informacionit (AKSHI). Por, kjo e fundit ende nuk është gati për të ofruar një certifikim të tillë.
Në mënyrë jozyrtare, institucioneve financiare u ishte kërkuar të mos bënin një certifikim nga një trupë e huaj, me premtimin se AKSHI do të ishte gati për t’i certifikuar deri në fund të qershorit. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe open banking nuk mund të fillojë, megjithëse të gjitha institucionet financiare deklarojnë se tashmë janë gati.
Burime nga Banka e Shqipërisë shprehen se, sidoqoftë, ka ende mundësi që AKSHI të arrijë ta japë në kohë certifikimin e nevojshëm deri në datën 1 korrik.
Në fillim të këtij viti, kryeministri Rama kritikoi ashpër bankat tregtare, duke u kërkuar të “dilnin nga zona e komfortit” dhe të ishin gati patjetër për open banking që nga 1 korriku, siç kërkon afati i fundit i vendosur nga Banka e Shqipërisë. Por, siç ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, duket se problemi është te vetë institucionet publike, më shumë sesa te sektori privat.
Open banking pritet t’i mundësojë çdo individi apo subjekti që ka një llogari pagese ta përdorë llogarinë për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare. Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Open banking do të mundësojë dy shërbime të reja, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë
Ligji “Për shërbimet e pagesave” hyri në fuqi qysh në janar 2021 dhe reflekton parimet kryesore të Direktivës së Dytë të Bashkimit Europian për pagesat (PSD 2) dhe synon të sjellë më shumë konkurrencë në këtë treg, duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të pagesave. Megjithëse ligji i ri ka hyrë në fuqi prej vitesh, parimi i open banking ende nuk ka filluar të zbatohet.
Shërbimet e mbështetura në open banking duhet të testoheshin duke filluar që në 1 janar 2024, si pjesë e rregullores ”Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”. Që prej datës 1 korrik, shërbimet e open banking duhet të jenë operative.
Reagimi i AKSHI-t
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është përfshire në procesin e “Open Banking” vetëm në muajin maj 2024, duke u ftuar si pjesë e një tryeze të rrumbullakët me të gjithë aktorët që do të luajnë rol në këtë proces. Pas diskutimeve nga ana e këtyre të fundit, rreth mënyrës se si do të ngrihet dhe operojë ky shërbim, me datë 29 maj 2024 jemi njoftuar zyrtarisht me shkresë nga Banka e Shqipërisë, për kërkesat që duhet të plotesojë certifikata elektronike, me të cilën duhet të pajisen subjektet financiare që do të jenë pjesë e këtij shërbimi.
Menjëherë, me marrjen e standardit sipas të cilit duhet të gjeneroheshin këto certifikata elektronike, nga ana e AKSHI-t, ka nisur puna për ofrimin e një shërbimi të tillë. Theksojmë, se ky është një proces që kërkon mjaft kohë dhe impenjim, për vetë rëndësinë që ka.
Pas një pune intensive, për të bërë të pamundurën të mundur, me qëllim arritjen e afateve të përcaktuara nga institucionet financiare, ky shërbim do të ofrohet nëpërmjet portalit e-Albania gjatë ditës së sotme e për këtë është dërguar dhe një shkresë drejt Shoqatës së Bankave./Monitor