Gastronomia është një nga pikat e forta, që avantazhon promovimin e agroturizmit shqiptar. 11 prodhues shqiptarë të talentuar, që tashmë kanë krijuar markë me prodhimet e tyre autentike u prezantuan në Panairin “Slow Food 2023”, Shtutgart, të Gjermanisë si pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për promovimin e prodhuesve shqiptarë dhe zgjerimin e bashkëpunimeve në tregje të reja ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në panair, me mbështetjen e Ministriësë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe nën kujdesin e veçantë të ministres së Bujqësisë Frida Krifca, ishte rast shumë i mirë për të parë zhvillimin e prodhimeve shqiptare që nuk janë thjesht vetëm bujqësore, blegtorale, por vijnë të përpunuara si një cikël i plotë.
“Prodhuesit e vegjël shqiptarë vijnë për herë të parë në këtë Panair, të përfaqësuar nga rrjeti “Slow Food” që është një lëvizje e rëndësishme në Shqipëri dhe ka sjell rezultate konkrete me punët në komunitet në zonat rurale duke krijuar modele suksesi”, tha Krifca.
Ndihem krenare, u shpreh ministrja, që i promovojmë prodhuesit tanë si ambasadorë të shijet, traditës dhe kulturës unike shqiptare.
“Këto produkte ushqimi janë pasaportë e rëndësishme e traditës, cilësisë, shijes dhe ritualeve të territoreve më të thella të Shqipërisë nga jugu e deri në very të vendit. Janë pikërisht këto prodhime autentike që po zgjojnë interesin dhe shtojnë vlerën e agroturizmeve lokale, po zgjerojnë kërkesën për eksporte dhe po inkurajojnë angazhmin e banorëve të këtyre zonave, për të shtuar prodhimin që është mjaft i kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj”, tha ministrja Krifca.
“Tradita gastronomike, është një element i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe historike e kulturore. Investimi tek tradita i jep Shqipërisë vlerë të shtuar dhe përcakton rolin e saj në një treg më të madh siç është ai i Bashkimit Evropian”, theksoi ministrja, teksa vuri në dukje se gastronomia është një nga pikat e forta, që avantazhon promovimin e agroturizmit shqiptar.
Krifca solli në vëmendje vizitën e ministrit gjerman të Bujqësisë dhe Ushqimit Cem Özdemir, në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar, i cili bëri një vizitë edhe në disa zona rurale të Shqipërisë.
Ministri gjerman u shpreh i impresionuar nga ajo çka pa në Shqipëri përmes rrjetit “Slow Food” dhe ishte kërkesë e Özdemir që Shqipëria të merrte pjesë në panairin ndërkombëtar në Shtutgart, ku prezantohen mbi 700 ekspozues nga e gjithë bota dhe shërben si një vendtakim i mundësive dhe bashkëpunimeve të mundshme mes pjesëmarrësve.
“Ne e shohim Gjermaninë si një partner të rëndësishëm të Shqipërisë drejt rrugës ambicioze për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Jam optimiste për partneritetin që kemi me ministrin Özdemir dhe vlerësoj mbështetjen e tij për Shqipërinë, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë. Kemi së bashku një plan veprimi me disa hapa konkretë që do të vihen në veprin nën asistencën gjermane. Ne do të kemi një atashe në rajon, i cili do të na ndihmojë të ndërtojmë këtë urë”, deklaroi ministrja Krifca.
Krifca ishte e pranishme me ftesë të posaçme të ministrit Federal të Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Özdemir, në Panairin “Slow Food 2023”, Shtutgart, ku morën pjesë mbi 700 ekspozues nga e gjitha bota.
Burimi: Ministria e Bujqesise