Realiteti turistik në Shqipëri, falë edhe zhvillimeve globale, e ka tejkaluar shpejt bazën ligjore të sektorit. Ndonëse më 4 prill, do të miratohen ndryshimet në Ligjin e Turizmit në Parliament, për ministren Kumbaro shpejt do të nevojitet një ligj krejtësisht i ri. Kumbaro deklaroi për emisionin ‘Ekopuls’ në SCAN se në ministri po përgatiten dokumente shumë të rëndësishme për sektorin, synimi i të cilave është rregullimi dhe garantimi i konkurencës së drejtë, e në të njëtën kohë ulja e informalitetit. Ja se si i përmbledh ministrja Kumbaro këto zhvillime të pritshme: “Ligji ynë i turizmit është i vitit 2014. Vizioni ynë ishte të ndërtojmë turizmin dhe bujqësinë të integruara. Por realiteti eci më shpejt se ligji. Në 2023 ne pamë që tashmë nevojiteshin ndryshime, për t’ia bërë jetën më të lehtë biznesit. Tashmë kemi realitete të reja në turizëm. Për shembull, dhomat dhe apartamentet që jepen online, një praktikë që nuk njihej më parë.
Me ndryshimet në ligj ne synojmë që ta formalizojmë edhe më tej sektorin, por edhe ta rregullojmë atë për të garantuar konkurencën e ndershme. Por edhe këto ndryshime nuk janë përfundimtare. Ata do të miratohen më 4 prill në seancën plenare të Kuvendit.
Po ashtu, brenda verës do të hedhim për konsultim publik strategjinë e turizmit 2024-2030. Mbase pas saj do të na duhet një ligj i ri në turizmin. Do të bëjmë atë që po bën edhe BE; përfshirjen e platformave online në ligj. Njëkohësisht duhet të mbrojmë edhe tregun e pasurive të paluajtshme.
Po ashtu, ne po pregatisim edhe një metodologji për turizmin, e cila do të integrojë të gjithë të dhënat për sektorin. Kjo do të jetë e gatshme brenda vitit 2024.
Me ligjin e turizmit të gjithë bashkitë duhet të marrin nga hotelet taksën e fjetjes, të cilën në të vërtetë e paguajnë klientët, pra nuk e paguajnë hotelet.
Kjo paguhet në çdo vend të botës, që disa e quajnë edhe ‘city tax’, që mund të jetë 50 cent, mund të jetë 1 euro, ka edhe vende si Gjermania që e ka 20 euro. Kjo taksë nuk mblidhet plotësisht dhe këtu informaliteti është i madh. Ndryshimet ligjore që po prodhojmë, dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera, dhe përfshirja e tyre në platformë do të bëjë që taksa të paguhet. E them edhe një herë kjo nuk është taksë që e paguajnë hotelet, e paguan klienti. Paltformat online do ta zgjidhin këtë problem”.
Marrë nga Scan