Qeveria polake të enjten vlerësoi koston financiare të humbjeve të Luftës së Dytë Botërore nën pushtimin nazist në 1.3 trilion euro dhe tha se “do t’i kërkonte Gjermanisë të negociojë këto reparacione”.
“Është një shumë e konsiderueshme prej 6.2 trilionë” zloti, tha në një konferencë zëvendëskryeministri Jaroslaw Kaczynski, kreu i partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi.
Ai shtoi se procesi i marrjes së reparacioneve nga Polonia do të ishte “i gjatë dhe i vështirë”.
Shuma u njoftua në publikimin e një raporti mbi koston e viteve të pushtimit nazist gjerman. Rreth 30 historianë, ekonomistë dhe ekspertë të tjerë kanë punuar për dokumentin që nga viti 2017.
Qeveria e krahut të djathtë të vendit thotë se Polonia nuk është kompensuar nga Gjermania, ndërsa Berlini argumenton se kompensimi është paguar për kombet e Bllokut Lindor në vitet pas luftës.
Pushtimi gjerman nazist i Polonisë filloi 83 vjet më parë dhe zgjati deri në fund të luftës në maj 1945.
Presidenti Andrzej Duda tha se lufta ishte “një nga tragjeditë më të tmerrshme në historinë tonë” në një ngjarje përkujtimore pranë Gdansk.
“Jo vetëm sepse na mori lirinë, jo vetëm sepse na mori shtetin tonë, por edhe sepse kjo luftë nënkuptonte miliona viktima në mesin e qytetarëve të Polonisë dhe humbje të pariparueshme për atdheun dhe kombin tonë”, tha Duda.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki shkroi në Twitter se raporti i humbjeve të luftës ishte “jo vetëm një zgjidhje e së kaluarës, por mbi të gjitha një kompensim për dëmtimin e së ardhmes së Polonisë”.
Dietmar Nietan, zyrtari i qeverisë gjermane për bashkëpunimin gjermano-polak, tha në një deklaratë se 1 shtatori “mbetet një ditë faji dhe turpi për Gjermaninë që na kujton herë pas here të mos harrojmë krimet e kryera nga Gjermania” që janë “kapitulli më i errët në historinë tonë” dhe ende ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe.
Pajtimi i ofruar nga njerëzit në Poloni është “baza mbi të cilën ne mund të shikojmë drejt së ardhmes së bashku në një Evropë të bashkuar”, tha Nietan.
Qeveria gjermane tha të enjten në një deklaratë për AFP se çështja ishte mbyllur.
Qeveria e Polonisë kundërshton një deklaratë të vitit 1953 nga liderët e atëhershëm komunistë të vendit, nën presionin e Bashkimit Sovjetik, duke rënë dakord të mos bëjnë pretendime të mëtejshme ndaj Gjermanisë.
Një ligjvënës i opozitës, Grzegorz Schetyna, tha se raporti është thjesht një “lojë në politikën e brendshme” dhe këmbëngul se Polonia duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira me Berlinin.
Rreth gjashtë milionë qytetarë të Polonisë, përfshirë tre milionë hebrenj, u vranë në luftë dhe industria, infrastruktura dhe kultura e saj pësuan humbje të mëdha.
Burimi: Euronews