Nënçmimi i fortë euros në raport me lekun ka lehtësuar kostot e shqiptarëve për udhëtimet jashtë kufijve, gjë që është reflektuar edhe te sigurimet e mjeteve që dalin nga territori shqiptar. Për periudhën janar qershor të këtij viti, është rrritur me më shumë se 50% numri i kontratave të kartonit jeshil, sigurimi që paguan çdo mjet që del jashtë nga territori shqiptar. Të dhënat vijnë përmes Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, i cili sapo ka publikuar treguesit e tregut të sigurimeve për gjysmën e parë të këtij viti.
Produkti Karton Jeshil në muajin janar-qershor 2023 pati një rritje prej 5.52% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 52.07% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Sigurim Kufitar, në muajin janar-qershor 2023, pati një rritje 7.24% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar-qershor 2022. Edhe numri i kontratave u rrit me 21.43%.
Në total, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-qershor 2023 arritën rreth 6 miliardë lekë, afërisht 60 milionë euro, ose 7.54% më shumë se në muajin janar-qershor 2022.
Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar-qershor 2023, pati një rritje prej 7.91% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 8.98% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,3 miliardëë lekë, ose 3.54% më shumë se në muajin janar-qershor 2022.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-qershor 2023 kapën vlerën 3,1 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 4.04% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Scan tv