Qeparoi u ndërtua aty ku shndërriste një dritë mes errësirës! Kështu thotë legjenda që historinë e ka ndarë mes Qeparoit të ri dhe Qeparoit të vjetër. Pasi kalon gjirin e Porto Palermos shfaqet lugina e Qeparoit mbushur me agrume dhe ullinj, në krah të saj është plazhi i gjatë dhe në horizont deti blu. Nëse nisesh nga Himara duhen vetëm 13 km udhë. Panorama të tilla tipike mesdhetare janë perla të rivierës shqiptare. Banorët thonë se emri i fshatit Qeparo vjen nga bima e qiparisit që në këto zona është i kudondodhur.
Plazhi poshtë ka rërë të hollë dhe deti në metrat e parë është i cekët ndryshe nga brigjet e Dhërmiut dhe Jalit. Në gjirin e vogël të Qeparoit gjen molin e vjetër ngritur mbi gurë masivë. Ne do t’ ju çojmë tani edhe në fshat poshtë dhe në fshat lart. Rruga për në qendër të fshatit gjarpëron mes ullishtave dhe kulmon aty me pamjen hijerëndë të një manastiri dhe një kishe. Dy objektet e stilit bizantin i përkasin shekullit të 18-të dhe njihen për ikonostasët e drurit.
Qeparoi i vjetër është unik në stilin e tij arkitekturor. Shtëpi prej guri disa katëshe me dritare qe shohin nga deti lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet rrugëve me kalldrëm. Fshati i vjetër ndodhet lart mbi kodrat që i ndan nga pjesa poshtë vija e pemëve të shumta dhe rruga kombëtare. Qeparoi njihet për monumente të vizitueshme nga turistët si Kulla e Ali Pashës që ndodhet rreth 1 km në veri të fshatit. Ndërtimi është prej guri me motive tipike të përdoruar në gjithë këtë zonë. Një viletë e madhe që ndodhet mes maleve dhe sheh jo vetëm nga deti por edhe nga rrugët e Qeparoit të vjetër. Rrënojat e Kalasë së Qeparoit janë një tjetër ndalesë interesante. Dëshmi të vendbanimeve të hershme gjurmët ndodhen mbi kodra të larta shkëmbore. Pjesa e sipërme e fshatit dominohet nga manastire dhe kisha të vjetra.
Ato pasurohen prej dekorit të shtëpive të gurta që restaurohen herë pas here. Qeparoi gjallërohet gjatë muajve të ngrohtë nga turistët e shumtë që zgjedhin këtë zonë për arkitekturën, natyrën e pasur, ushqimet fantastike dhe plazhin e qetë e të bardhë. Mos t’ju duket çudi kur në rrugët me kalldrëm të Qeparoit të përshendeteni me francezë apo britanikë. Disa prej tyre nuk janë turistë. Ata kanë blerë shtëpi në Qeparoin e vjetër, për ta jetuar ndriçimin mistik të fshatit, siç thoshte legjenda.
Burimi: Into Albania