Ministria e Financave priste që suficiti buxhetor të arrinte në 21,3 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti, por të dhënat e fundit tregojnë se balanca pozitive ka arritur një vlerë prej 51,4 miliardë lekësh (500 mln euro) ose 141 për qind më shumë se plani buxhetor.
Akumulimi i suficitit më shumë se nga rritja e të ardhurave është ndihmuar nga mosrealizimi i investimeve publike sipas planit buxhetor. E gjithë kjo situatë ka ndihmuar qeverinë që të mbajë në llogari likuide prej 500 milionë eurosh.
Ky gjithsesi nuk është një lajm i mire për ekonominë. Në gjysmën e parë të vitit 2024 suficiti buxhetor në vlerë ishte 11 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhe të vitit 2023, teksa ritmi i rritjes se të ardhurave ra në 7 % nga 14,5 për qind që ishte në 6 mujorin e parë të vitit të kaluar.
Në janar-qershor 2024 investimet kapitale ishin vetëm 26,5 miliardë, vlerë kjo sa 19.6 për qind e planit vjetor prej 135 miliardë lekësh.
Duke mbajtur suficitin buxhetor përtej të gjitha parashikimeve, qeveria është duke e ndikuar negativisht rritjen e ekonomike sipas raportit të fundit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë.
Gjithashtu suficiti i qeverisë po ndikon në uljen e ekspozimit të bankave në blerjen e borxhit të qeverisë duke ushtruar presion për ulje të normave të interesit.
Huamarrja neto në tregun e huaj për tre muajt e parë të vitit rezultoi rreth -2.6 miliardë lekë, e ndikuar nga shlyerja e borxhit të huaj në masë më të madhe sesa prurjet në këtë periudhë.
Zhvillimet në huamarrjen e qeverisë, së bashku me vlerat e suficitit fiskal, u faktorizuan në teprica të larta likuiditeti, të disponueshme për t’u shpenzuar në muajt pasardhës.
Në 6 mujorin e dytë të vitit qeveria ka në dispozicion 110 miliardë lekë ose më shumë se 1 miliardë euro vetëm në zërin e investimeve publike. Përqendrimi në fund të vitit i fondit të investimeve është bërë një praktike shumë vjeçare për qeverinë, por për Bankën e Shqipërisë kjo situatë bëhet shkak për forcimin e lekut në pjesën më të madhe të vitit.
Duke u përdorur në fund të vitit suficitin buxhetor ulet efektiviteti i përdorimit të fondeve publike dhe rritet mungesa e transparencës. Entet publike tashmë raportojnë vetëm për fondet e harxhuara dhe nuk janë në gjendje të raportojnë për produktet e realizuara dhe ecurinë në kohë të kostos për secilin nga produktet e investimeve publike./Monitor