Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë ditës së sotme projektligjin e ri për reformën e pagave. Në një dalje për mediat, kryeministri Rama deklaroi se do të ketë një sërë kategorish që do të preken nga rritja e pagave, duke filluar me punonjësit e administratës, mësuesit, infermierët, mjekët, zjarrfikësit, punonjësit e sigurisë.
Sipas Ramës rritja do të bëhet në dy faza. Në hapin e parë, rritje do të marrin mësuesit, punonjësit e sigurisë, mjekët dhe infermierët. Ndërsa rritja e radhës do të bëhet pasi projektligji të miratohet në Kuvend.
“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave. Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se, në harkun e një vit,i paga mesatare në Republikën e Shqipërisë do shkojë nga 563 euro në 900 euro.
Konkretisht specialistët më të ulët që punojnë në administratën qendrore do të kenë një rritje nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë.Paga e mësuesve në arsimin e mesëm do të shkojë mbi 100 mijë lekë. Në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Këto janë shifra bazë. Kohëzgjatja në detyrë dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë edhe më mirë. Është koha të bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve me 20%. Infermierët do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh, kjo bazë shkon edhe mbi 90 mijë lekësh në bazë të pozicionit në punë.
Sipas Kryeministrit rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër dhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuar dhe nga kjo sektori privat do të jetë i detyruar të rrisë pagat.