“TË VEPROJMË SI GJITHË BOTA PËR SIGURIMIN NGA FATKEQËSITË NATYRORE”
Lëkundjet e tërmetit kanë vijuar edhe sot duke bërë që paniku të mbetet prezent tek qytetarët.
Sipas të dhënave paraprake flitet për dëmtimin e rreth 30 pallateve dhe 300 banesave, ndërsa numri i të plagosurve llogaritet në afro 105, disa prej të cilëve ndodhen ende në spital.
Kryeministri Edi Rama në një mbledhje me grupin parlamentar sot theksoi se pas tërmetit është majft e nevojshme të mendohet seriozisht sigurimi I banesave tek kompanitë private pasi është e pamundur të menaxhohet vetëm nga buxheti i shtetit.
Edi Rama: “Ka edhe tema të tjera për t’u diskutuar më pas siç është tema e sigurimit të banesave që për fat të keq është trajtuar si tabu. Unë e kam prekur që kur kam qenë kryetar bashkie. Më tutje është prekur edhe nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit që është e domosdoshme që të ketë tjetër hap siç e ka gjithë bota për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore sepse është e pamundur që të jetë vetëm buxheti i shtetit, por mbi të gjitha kompanitë e ndërtimit.”
Rama e quan si proces shekullor misionin e sigurimit të banesave që ende është në nivele të ulta.
“ Ka ardhur koha ta përmbyllim këtë proces shekullor më duket mua edhe pse janë 20 vjet që kur është trajtuar si çështje të ndërtimit të lidhur me policinë e ndërtimit edhe me kolaudimin në bashki. Ndërtimi i çdo godine sidomos për pallatet duhet të jetë i lidhur me sigurimin. Duhet të jetë kompania e sigurimit që jep viston dhe që mban përgjegjësi për shkeljen në ndërtim. Kompania e sigurimit është roja që duhet t’i rrijë në kantier ndërtuesit për të mos bërë dalje nga projekti që mund të kërcënojnë strukturën”- tha Rama.
Tërmeti 5.8 ballë i shkallës Rihter goditi Shqipërinë duke shkaktuar dëmtime të mëdha materiale në shumë banesa, kryesisht në Durrës dhe Tiranë.
Vec dëmeve në njerëz dhe ndërtesa tërmeti lë pas edhe pasojat ekonomiko- financiare.
Fatkeqësisht Shqiptarët vazhdojnë ta mbajnë vetë këtë rrisk financiar në rast fatkeqësish pasi nuk kanë kulturën e sigurimit vullnetar.
Sipas strukturës së tregut të sigurimeve të Publikuar nga AMF, sigurimi i pronës nga zjarri dhe fatkeqësi të tjera natyrore zë vetëm 17.57 % të totalit të tregut.
Edhe në rastet kur ky sigurim kryhet, bëhët për shkak të marrëdhënieve të kushtëzuara nga bankat për për kreditë që merren nga qytetarët për blerjen e banesave.
Kujtojmë që kosto modeste e sigurimit të një shtëpijë është afro 50 euro në vit dhe kompanitë marin përsipër dëmshpërblimin 100% në rast dëmi.