Në një intervistë për gazeten greke “Kathimerini” kryeministri Edi Rama deklaroi se titujt e pronësisë që i janë dhënë pakicave greke gjatë mandatit të tij janë të panumërta.
Pjesë nga intervista e kryeministrit Rama me gazetarin grek
Gazetari: Nuk e dija, por më thanë që ka probleme lidhur me të drejtat e pronësisë së qytetarëve të Himarës. Në Athinë thuhet se qytetarëve të Himarës iu jepen titujt e pronësisë, vetëm nëse kanë rënë dakord tashmë t’ua shesin pronat investitorëve të mëdhenj strategjikë. Kështu, në 10 vitet që qeverisni Shqipërinë dhe tre vjet pasi Parlamenti miratoi ligjin e ri për pronat, a e dini sa tituj pronësie iu janë dhënë qytetarëve me banim në Himarë për prona që nuk janë shitur menjëherë pas kësaj?
KRYEMINISTRI EDI RAMA: Së pari, ky është komplet manipulim, sepse historia e titujve të pronësisë në Shqipëri është shumë e dhimbshme, shumë e dhimbshme. Na u desh të kalonim nëpër ferrin e shtetëzimit të plotë, pastaj të përjetonim purgatorin e tranzicionit, viktima e parë e madhe e të cilit ishin titujt e pronësisë; një katrahurë e madhe, një katrahurë në çdo kilometër katror të vendit. Po ju them që ende kemi probleme, probleme të mëdha në Veri, ku ka shumë prona, ku ka nevoja për zhvillim, ku kanë nevojë për të marrë fonde, kanë nevojë për të marrë subvencione dhe nuk mund të regjistrohen, edhe sot që flasim, prandaj na u desh ta miratonim këtë ligj. E dyta, të thuash që atyre iu njihet pronësia vetëm pasi kanë bërë marrëveshje me këdoqoftë është jologjike, sepse nuk mund të bësh asnjë marrëveshje, nuk mund të marrësh asnjë leje nga institucionet, nëse nuk ke titullin e pronësisë, kështu që duhet të kesh titullin. Kam dëgjuar këtë historinë (e pronave) “për një copë bukë” dhe është çmenduri. Ju e dini sesa shitet toka në Himarë dhe janë njerëzit atje që e shesin dhe e shesin tokën bazuar në dokumentet që kanë ose mbështetur në dokumente shumë të vjetra, (ruajtur) nga koha e komunizmit, ose që nuk janë as tituj pronësie, por ata janë pronarë dhe shesin. Sot, po ju them, në Himarë jemi në situatën ku prona shitet shumë më tepër sesa në shumë pjesë të Korfuzit.Dikush që punon dhe ndërton atje dhe që nuk është nga Himara më tha i kam blerë pronat tri herë, sepse nuk doja që askush, askush të thoshte që më lanë pa gjë. Ata kanë probleme me njëri-tjetrin, për shkak të mbivendosjeve të pronës, për shkak të dokumentacionit të ndryshëm, dhe i kishte blerë tri herë e m’i tregoi dhe më tha “tani, po punoj të blej një pronë në Korfuz dhe është 10 herë më pak sesa ato që kam blerë në Himarë një herë të vetme”. Sot, në Himarë, gjeje pak sa është çmimi mesatar: 400, 500 euro për metër katror? Po flas aty ku është plazhi, jo në mal. Ka raste që mund të shkojë deri në 1 000 dhe është një transaksion mjaft i mirë në thonjëza, pasi është kryesisht jotransparent.Njerëzit marrin shumë para, pa i deklaruar siç duhet dhe këtë nuk e kemi vetëm në Himarë, e kemi kudo.Ne kemi ndërmarrë një sistemim të gjerë të titujve të pronësisë, por ka ende shumë për t’u bërë, sepse kanë ndodhur shumë gjëra të këqija më parë.Më lini t’ju them diçka tjetër. Titujt e pronësisë që i janë dhënë pakicës greke gjatë mandatit tim janë të panumërta. Krahasojini me çfarë ndodhte më parë. Zero, zero, jo një, zero! Sot, minoritarët grekë mund të shkojnë në kisha që kanë titujt e pronësisë dhe kishat nuk kishin tituj pronësie, qëkur komunizmi i kishte zhvehur prej tyre. Qeveria ime iu dha titujt kishave. Pata një bisedë me shoqatën, nuk e di si quhet, shoqata e himarioton e amerikës apo diçka e tillë.Ata ishin një zë i fortë, sepse kanë rrënjët e tyre në Himarë, ishin të mirëorganizuar, ishin mjaft të vendosur dhe më ishin kundërvënë bazuar në llafe. Më pas, shkova në Nju Jork, u ula me ta dhe u thashë, “shikoni, mos më dëgjoni mua, se unë do them atë që më vjen për mbarë. Dërgoni një ekip atje, dërgoni një ekip juristësh, të intervistojnë kë të duan. Le të shkojnë në vend, le të flasin me institucionet, le të mbledhin faktet dhe, pastaj, nëse është ashtu siç thoni ju dhe jo siç them unë, jam gati të marr ndëshkimin, domethënë ndëshkimin si gënjeshtari më i madh”. Një nga personat aty, një njeri mjaft i mençur, tha: “Dëgjo, nuk e kisha menduar kurrë që do të takohesha dhe do ndaja bukën me Edi Ramën. Kjo në vetvete është një gjë e jashtëzakonshme dhe tani po të them që, nëse po na manipulon, do të të qepem pas gjithë jetën” Në mënyrën greke, sigurisht, jo në mënyrë terroriste. “Por, nëse ti po thua të vërtetën, do të jem miku yt përjetë”. Sot, jemi miq përjetë.Dhe, kujdes, nuk po them që kjo e gjitha është vaj, nuk po them se nuk ka probleme, nuk po them këtë, por po ju them se problemet me pronën në të gjithë bregdetin shqiptar, që sipër në Shkodër e deri poshtë në Konispol, janë të njëjtat.Belaja është që ca njerëz, që me ç’duket janë më të zgjuar se të tjerët, dinë si ta përdorin flamurin grek si kartë krediti. Dinë si ta përdorin flamurin grek që të derdhin helm dhe dinë si t’i përdorin interesat e tyre shumë të vogla duke shfrytëzuar flamurin grek. Është diçka që në çdo popull ndodh, po, për Shqipërinë, e bëjnë duke përdorur flamurin e Partisë Socialiste apo flamurin e Partisë Demokratike, ose flamujt e partive të tjera, sepse nuk mund të pretendojnë se janë këtu një pakicë që po rrënohet apo një minoritar që po zhvatet. Kur vjen fjala për disa persona në pakicën greke, ata janë shumë të zotë ta manipulojnë Athinën dhe Athina nuk është e gatshme të kuptojë se shansi më i mirë që ka për të përmirësuar marrëdhëniet dhe jetën e pakicës greke nuk është një grek, po jam unë këtu. Jam unë, jo sepse unë punoj për grekët, po sepse punoj për të gjithë njësoj dhe mendoj se grekët në Shqipëri janë një pasuri dhe duhet ta çmojmë praninë e tyre, kaq. Megjithatë, ashtu siç ka disa shqiptarë me të cilët nuk jam i lumtur që ndaj një gjak, ka edhe disa grekë që ju realisht nuk duhet të jeni krenarë që ndani një gjak me ta.