Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot pusin numër 5 në Shpirag . Ai e cilësoi zonën naftëmbajtëse një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit dhe një shpresë të madhe për Shqipërinë 2030 . Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan “pas një pune titanike thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, në ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, çka në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit”. Gjatë vizitës në kantier, Rama theksoi se po punohet paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare.