Shqipëria do jetë kampione e turizmit në rajon, ka deklaruar kryeministri Rama në një konferencë për mediat . Rama shtoi se vendi ynë mund të kapërcejë për shifra edhe Beogdradin.
“Shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm edhe në asketin e afrimit të plotë me Greqinë apo të tjera vende që janë para nesh kur vjen fjala tek numri i turistëve për frymë.
Duhet nënvizuar një element që është aeroporti i Tiranës i cili ka pësuar një transformim shumë të rëndësishme me ndryshimin e koncesionarit dhe ndryshimet që janë bërë nga kompania shqiptare. Shqipëria në rritjen e numrit të pasagjerëve në trafikun ajror është në vendin e parë dhe jemi në kushtet kur mund të themi pa rezervë se jo vetëm jemi konkurrues në aeroportin e Beogradit, por me shumë gjasa mund ta kapërcejmë aeroportin e Beogradit në numër pasagjerësh këtë vit”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë u shpreh optimist se me vënien në punë të aeroportit të Vlorës fluksi i turistëve do të shtohet.
“Në aeroportin e Vlorës vijon puna. Kemi shumë besim se me futjen e aeroportit të Vlorës do të kemi një bum të konsiderueshëm të numrit të turistëve. Edhe pse aeroporti i Tiranës punon 24 orë dhe ka 200 fluturime në ditë mundësitë janë më tepër” deklaroi Rama.