Zona historike e Zdrales është një nga më të njohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.
Kryeministri Edi Rama ndoqi prezantimin e bërë në bashkinë e Shkodrës të asaj çfarë ofron aktualisht kjo lagje, dhe perspektivës për zhvillimin e një projekti, që jo vetëm do ta zbukurojë atë, por do të lehtësojë ndjeshëm çdo lloj aktiviteti tregtar apo kulturor.
“Zona e Zdralës është një zonë shumë e madhe dhe qendrore në qytet. Është pjesë e një rrethi 5-minutësh i qarkullimit nga qendra e qytetit, por ama është e degraduar në krahasim me zonën tjetër tjetër historike. E kemi sjellë në vëmendje si një zonë që meriton patjetër vitalizim urban por edhe një zhvillim nga pikëpamja e karakterit të pazarit që ka dhe më gjerë. Është një zonë historike. Ka 300 vite si lagje që është formuar, me elemente interesant të trashëgimisë kulturore, por sot është degraduar po themi dhe nga zhvillimi urban dhe nga mungesa e infrastrukturës”, u shpreh prezantuesja e projektit, teksa shpjegoi në detaje përbërjen e kësaj zone.
Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se me rigjenerimin e zonës, do të marrë një tjetër energji edhe aktiviteti tregtar, i cili për momentin nuk ofron më të mirën e tij.
“Në momentin që rigjenerohet hapësira dhe privatët marrin tjetër mesazh dhe tjetër energji dhe ia vlen. Tani aty në atë lloj situate ashtu s’ka çfarë të ketë bare të mira, s’ka çfarë të ketë dyqane të mira, kështu që edhe kjo është efekti zinxhir që sjell rikualifikimi” u shpreh kryeministri.