Rritja e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit pritet të kenë një ndikim global në bujqësi.
Ngrohja globale mund të rrisë inflacionin vjetor të ushqimeve deri në 3.2% në vit dhe inflacionin e përgjithshëm deri në 1.18% në vit deri në vitin 2035, sipas një studimi të fundit nga Instituti i Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK).
“Duke parë mbi 27,000 vëzhgime të të dhënave historike, zbuluam se rritja e temperaturave mund të rrisë çmimet e ushqimeve, veçanërisht në rajonet dhe stinët e nxehta”, tha Dr Max Kotz, një nga autorët e studimit.
“Në kushtet e ardhshme klimatike, këto ndikime mund të bëhen të mëdha, afërsisht 1-3% pikë në vit mbi inflacionin e ushqimeve deri në vitin 2035, duke kërcënuar stabilitetin e çmimeve të bankave qendrore si BQE e cila synon të mbajë inflacionin nën 2%.
Ndërkohë, inflacioni total mund të rritet me 0,32-1,18 % çdo vit mesatarisht në nivel global, zbuloi studimi. Çmimet në rritje ose të paqëndrueshme kërcënuan mirëqenien ekonomike dhe njerëzore, si dhe stabilitetin politik, vuri në dukje raporti, duke cituar se kriza e kostos së jetesës 2021-2022 shtyu 71 milionë njerëz të tjerë në varfëri në të gjithë botën, sipas OKB-së. Inflacioni i nxitur nga klima prek njësoj vendet e pasura dhe të varfra. Inflacioni i ushqimeve dhe inflacioni total pritet të ndikohen nga ngrohja globale si në vendet me të ardhura më të larta ashtu edhe në ato më të ulëta.
Sipas raportit, një rritje prej 1 gradë Celsius në temperaturën mesatare mujore ka një ndikim në çmimet deri në një vit, ashtu si shiu i tepërt, por ndikimet në çmime janë vetëm afatshkurtër kur ato rrjedhin nga thatësira e tepërt. Studimi hodhi një vështrim nga afër verës jashtëzakonisht të nxehtë evropiane të vitit 2022, kur nxehtësia dhe thatësira patën një ndikim të gjerë në bujqësi dhe ekonomi.
“Ne vlerësojmë se vapa ekstreme e verës 2022 rriti inflacionin e ushqimeve në Evropë me rreth 0.6%. Ngrohja e ardhshme e parashikuar për vitin 2035 do të përforconte ndikimet e ekstremeve të tilla deri në 50%,” shtoi Kotz.
Përkthyer dhe përshtatur nga Euronews për Probizz.al