Hotelet, agjencitë e udhëtimit dhe kompanitë që ofrojnë shërbimet e telekomunikacionit, kanë shënuar rekord shitjesh në tremujorin e parë të këtij viti. Gjithashtu, këto ndërmarrje kanë punësuar më shumë punonjës të rinj krahasuar me ndërmarrjet e tjera dhe kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme pagat e tyre.
Referuar statistikave afatshkurtra të INSTAT mbi sektorin e shërbimeve, shitjet në agjencitë e udhëtimit u rritën me 27%, ndërsa në sektorin e hotelerisë ishin 12.5% më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2023.
Sa i takon numrit të punonjësve, rezulton se shifrat e të punësuarve në ndërmarrjet e telekomunikacionit u rritën me 7.1%, ndjekur nga agjencitë e udhëtimit me 6.2% dhe hotelet me 5.7%. Paralelisht me rritjen e numrit të të punësuarve ka shkuar edhe rritja e pagave të tyre, ku krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar, pagat për ofruesit e shërbimeve në hotele u rritën me 25.4%, për agjentët e udhëtimit u rritën me 26.2%, ndërsa në ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin e transportit, magazinimit dhe postës ka pasur një rritje prej 21.9%.
Padyshim që turizmi i ka dhënë një shtysë zhvillimi bizneseve që operojnë në këtë sektor. Gjatë vitit 2023, rreth 10.1 milionë turistë vizituan Shqipërinë, ndërsa vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti rezultojnë 2.3 milionë hyrje të vizitorëve të huaj. Deri në fund të vitit 2024 parashikohet që të arrihet një shifër rekord prej 14 milionë turistësh.
Ky fluks i lartë i turistëve të huaj ka ndikuar në shtimin e të ardhurave për këto biznese dhe ka rritur nevojën për punonjës të rinj. Vetëm në vitin 2023 rezulton të jenë regjistruar rreth 1.771 ndërmarrje të reja që ofrojnë shërbimin e akomodimit dhe ushqimit. Të ardhurat totale të grumbulluara nga turizmi ishin 4.2 miliardë euro duke arritur kështu në nivelin e 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto./Scan