Pas katër ditësh rikthehet në funksionalitet faqja zyrtare e e INSTAT-it. Grupi i hakerave iraniane morën përsipër sulmin e faqes së Institutit Shqiptar të Statistikave më 31 janar, duke bërë që të dilte jashtë shërbimit. “Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare se pas sulmit kibernetik të ndodhur më datë 31 janar 2024, ka arritur të rihapë faqen zyrtare www.instat.gov.al. Në ditët në vijim faqja zyrtare do të përditësohet me informacionet e fundit.
INSTAT falënderon të gjithë përdoruesit për durimin dhe mirëkuptimin e treguar dhe bën me dije se po punon intensivisht për të rikthyer të gjitha shërbimet funksionale dhe bazën e të dhënave. INSTAT kërkon bashkëpunimin e publikut për të raportuar çdo anomali apo problem që hasin gjatë përdorimit të faqes zyrtare, duke kontaktuar me INSTAT nëpërmjet emailit të përkohshëm [email protected] ose numrit jeshil falas 0800 22 44.
INSTAT po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e plotë të të dhënave statistikore”, shkruhet në njoftimin e Institutit të Statistikave.
Në reagimin e tij INSTAT bëri me dije se nga sulmi nuk ishin prekur të dhënat e Censit dhe se po punohej për të minimizuar dëmet e mundshme.