Pandemia e Covid-19 përveç kërcënimit të shëndetit në mbarë botën solli dhe krizë globale ekonomike e financiare. Për shkak të distancimit social dhe kufizimit të mjaft aktiviteteve pati një recesion ekonomik drastik.
Kina është shteti që e filloi vitin me një rritje rekord, pas kësaj krize. Ekonomia e dytë më e madhe e botës u rrit me 18.3% gjatë tre muajve të parë të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, njoftoi të premten Byroja e Statistikave.
Një vit më parë ekonomia e Kinës thuajse ngriu tërësisht, për shkak të shpërthimit të pandemisë së korona virusit dhe çdo veprimtari u pezullua. Kur masat izoluese u hoqën, ekonomia kineze hyri në rrugën e rritjes. Që kur Kina filloi që matjen e parametrave ekonomikë çdo tremujor, kjo është rritja më e madhe në 30 vjet.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritja vjetore e ekonomisë së Kinës do të jetë këtë vit 8.1%.
Vetë qeveria kineze është treguar më e përmbajtur për të caktuar objektivat e rritjes dhe më herët këtë vit tha se pritshmëritë janë për “mbi 6%.”
Për këtë ringritje të fortë ndihmë ka dhënë tregtia e jashtme. Fabrikat e Kinës kanë qenë të zëna me prodhimin e pajisjeve shëndetësore, përfshirë testet për Covidin dhe veshjet mbrojtëse të mjekëve.
Rritje u raportua edhe në sektorin e pajisjeve elektroshtëpiake.
Gjatë krizës financiare të vitit 2008, Kina ndihmoi për ringritjen e ekonomisë globale. Kalimi i krizës që solli korona virusi do të japë efekte edhe për pjesën tjetër të botës, me shumë rëndësi pritet ndikimi për prodhuesit gjermanë të automjeteve./ProBizz.al/