Mbi 77 mijë punonjës do të përfitojnë rritje page përgjatë vitit 2024. Dokumenti i programit buxhetor afatmesëm 2024-2026 i rishikuar është botuar në Fletoren Zyrtare dhe detajon prioritetet për 3 vitet e ardhshme. Sipas dokumentit, gjatë ciklit afatmesëm 2024–2026, parashikohet vijimi i ofrimit të shërbimeve për qytetarët në arsim, shëndetësi, transport, bujqësi etj me standarde dhe cilësi si dhe financimi i disa politikave të reja të nisura përgjatë vitit 2023. Konkretisht, synohet financimi i politikës së re të rritjes së pagave kryesisht në sektorët prioritarë si shëndetësia, arsimi, siguria, mbrojtja.
Për vitin 2023-2024, parashikohen të përfitojnë nga rishikimi i politikës së rritjes së pagave rreth 36 000 punonjës arsimor të Sistemit Arsimor Parauniversitar, ku për vitin 2024 parashikohet rritje e pagës me 23-36% të pagës bruto; Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, ku përgjatë dy viteve do të realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26-34% të pagës bruto; Rreth 22 500 punonjës të sistemit me Grada që parashikohet të përfitojnë rritje të pagës për gradë me mesatarisht 30% për vitin 2024.
Sa i takon treguesve kyç të perfomancës, të ardhurat tatimore parashikohen nivelin 28.4% të PBB në vitin 2026, nga 28.3% që janë programuar për vitin 2024; Niveli i Borxhit Publik parashikohet të ulet në 64.2% të PBB në vitin 2026, nga niveli 67.5% i PBB i parashikuar për vitin 2023. Përmirësim të dukshëm në renditjen e Shqipërisë tek Indeksi i Buxhetit të Hapur), nga 52/100 pikë në vitin 2023, parashikohet të arrihet vlera 59/100 pikë në vitin 2026.
Marrë nga Scan Tv