Në vitin 2019 qeveria vendosi që të ndërmerrte një politikë për mbështetjen e familjeve të reja me qëllim rritjen e lindshmërisë, duke ofruar bonus për bebet që vinin në jetë. Masa e bonusit për fëmijën e parë u caktua 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë lekë dhe për fëmijën e tretë 120 mijë lekë. Kjo bështetje financiare përfitohej edhe nga fëmije e lindur jashtë vendit, ndërsa së fundmi duket se kjo kategori do të përjashtohet pasi projektligji që penalizon emigrantët po diskutohet në komisionet kuvendore.
Por sa shpenzon qeveria për bebet që vijnë në jetë? SCAN ka bërë një analizë të shifrave nga viti 2019 kur ka filluar kjo politikë dhe rezulton se buxheti i shpenzuar në atë vit ka qenë rreth 2.3 miliardë lekë, dhe ka ardhur në rritje progresive në 2.8 miliardë lekë në 2020, 3.3 miliardë në 2021 dhe 3.1 miliardë lekë në 2022. Ndërsa deri në Korrik të këtij vitit janë disbursuar 1.7 miliardë lekë. Pra, buxheti më i lartë i shpenzuar në 5 vjet është 3.3 miliardë lekë. Dhe në total nga 2019-ta deri në Korrik 2023, për bebet në formë bonusi kanë shkuar rreth 13.3 miliardë lekë apo rreth 132 milionë dollarë.
Por cili është efekti i kësaj politike në shtimin e popullsisë? Të dhënat e INSTAT mbi lindshmërinë, tregojnë se kaq para sa jep qeveria për lindjet e reja, jo vetëm nuk e kanë nxitur lindshmërinë, por ka ndodhur e kundërta. Nga viti 2019 dhe në vijim, numri i lindjeve ka rënë në mënyrë drastike. Konkretisht në 2019 regjistroheshin 28.561 lindje, dhe nga viti në vit ka pasur një reduktim duke arritur në shifrën e 24.688 bebe të lindura në vitin 2022.
Kjo tregon domosdoshmërinë për ndërmarrjen e politikave më të mirëmenduara dhe më mbështetëse për familjet e reja, për shkak se për një sërë arsyesh që lidhen me mungesën e sigurisë në punë, të ardhurat e ulëta dhe shpenzimet në rritje, çiftet e reja po tregohen të “kursyer” në shtimin e familjes.
Marrë nga Scan Tv