Nga data 15 deri me 19 nëntor, në kryeqytet do të rikthehet tradita e panairit të librit ku shtëpi të ndryshme botuese kanë mundësinë të sjellin më afër lexuesve libra nga autorë të ndryshëm. Ky panair, i cili do të zhvillohet në mjediset e Pallatit të Kongresve, është edhe edicioni i 26-të i tij, që nga panairi i parë i librit i zhvilluar në vitin 1998-të.
Nisur nga kjo “Scan Intel” i është rikthyer tregut të shtëpive botuese për të parë se si ka qenë ecuria dhe si kanë ndryshuar të ardhurat në harkun kohor të një viti. Analiza do të ndalet në ecurinë e këtij tregu për vitin 2022, për të parë se sa vlen ky treg dhe cila nga shtëpitë botuese ka performuar më mirë në lidhje me xhiron vjetore, pra shitjen e librave përgjatë vitit.
Në analizë janë marrë 22 shtëpi botuese të cilat kanë depozituar pasqyrat financiare për vitin 2022 dhe gjithashtu këtë herë “Scan Intel” është ndalur kryesisht në të ardhurat e këtyre shtëpive nga aktiviteti i shitjes së librit. Në filtër kanë kaluar pjesa dërrmuese e shtëpive botuese, por disa prej tyre nuk janë pjesë e shifrave pasi nuk kanë dorëzuar pasqyrat financiare për vitin e fundit. Sipas të dhënave për vitin 2022 rritja e xhiros vjetore është llogaritur në 2.2%, krahasuar me vitin 2021.
Nga analiza e pasqyrave financiare të depozituara në “Qendrën Kombëtare të Biznesit”, ky treg përgjatë 2022-shit ka qakulluar një xhiro totale rreth 1.74 mld, ose rreth 16.7 milionë euro, ndërkohë që një vit më parë llogaritej përafërsisht pranë 1.70 mld lekëve.
Për vitin 2022 shtëpia botuese “Botime Pegi” renditet e para sa i përket treguesit të xhiros vjetore me 291 mln lekë të ardhura nga shitja librit, por krahasuar me vitin 2021 ka një rënie të xhiros me rreth 13%. Shtëpia botuese “Albas” renditet në vend të dytë me 248 milionë lekë të ardhura për vitin 2022, pasuar nga “Mediaprint” dhe “Ideart” me 218 mln dhe 180 mln lekë respektivisht.
Nëse do të fokusohemi te ndryshimi vjetor i të ardhurave shohim se shtëpia botuese “Minerva” dhe “UET” kanë shënuar rritjen më të lartë të të ardhurave në vitin 2022. Nga të dhënat shihet se xhiron më të lartë e kanë ato shtëpi të cilat botojnë kryesisht artikuj shkollorë.
Marrë nga Scan Tv