Portali qeveritar E-Albania do t’i nënshtrohet disa ndërhyrjeve që kanë si qëllim kalimin në një nivel tjetër të performancës në ofrimin e shërbimeve. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur tenderin për implementimin e e-Albania 2.0 me fond limit 1.4 miliardë lekë.
Një nga komponentët është i fokusuar në Rritjen e aksesit në shërbimet elektronike dhe përvojës së përdoruesit.
Kjo nënkupton ridizenjimin, përmirësimin dhe testimin dhe rregullimin periodik të portalit e-Albania bazuar në metodologjitë më të fundit dhe risitë në përvojën e përdoruesit.
Një risi tjetër është kalimi i plotë i portalit në “Mobile-by-Default” nëpërmjet përmirësimit dhe zgjerimit të e-Albania Mobile, integrimit të kërkesave më të fundit të aksesueshmërisë dixhitale, duke përfshirë për personat me aftësi të kufizuara, etj
Po ashtu, ndërhyrjet në portal parashikon përmirësime në aspektin e pagesave online përmes portalit duke ulur në këtë mënyrë koston për marrjen e shërbimeve elektronike me pagesë, raporton SCAN.
Portali e-Albania ofron 1,237 shërbime elektronike për rreth 3,000,000 përdorues.
Portali e-Albania ka aktualisht rreth 500 mijë përdorues aktivë në muaj, me një “pik” ditor prej rreth 60 mijë përdorues në ditë.
Gjatë pesë viteve të fundit, portali e-Albania u ka shërbyer përdoruesve të tij duke ofruar në total rreth 110,000,000 përdorime të shërbimeve elektronike.
Ky ridizajnim i portalit e-Albania vjen konform kërkesave të Programit GovTech të zbatuar me mbështetjen e Bankës Botërore./Scan