Në forumin me temë “Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë” Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko shprehu mirënjohjen ndaj Bankës Botërore për mbështetjen dhe zhvillimin e partneritetit me BSH-në, në avancimin drejt financave të gjelbra.
“Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një kërcënim të largët, por janë realiteti ynë i tanishëm, i shprehur nëpërmjet ngjarjeve të paparashikuara të motit, në rritjen e impaktit negativ në bujqësi, turizëm dhe infrastrukturë. Si pasojë, ndryshimet klimatike ushtrojnë presion të konsiderueshëm edhe në stabilitetin e sistemeve tona financiare. Është më se e qartë që sektori ynë financiar nuk mund të operojë i izoluar nga këto sfida. Ndërsa synojmë t’i bëjmë aktivitetet tona të qëndrueshme dhe të mbrojmë stabilitetin financiar, ne nuk duhet dhe nuk mund të neglizhojmë praninë e rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Sektori bankar, si gur themeli i ekonomisë sonë, duhet të rrisë rezistencën jo vetëm ndaj goditjeve financiare tradicionale, por edhe ndaj forcës të paparashikuar të fenomeneve klimatike”, tha Sejko.
Guvernatori deklaroi se financat e qëndrueshme nuk janë zgjedhje, por detyrim.
“Sistemi ynë bankar – i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid – ka treguar rezistencë të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Në këtë konteks për të vazhduar rrugën e rritjes së qëndrueshme, bankat tona duhet të menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që lidhen me klimën dhe të realizojnë investime që përputhen me përgjegjësinë mjedisore për të ruajtur ekosistemet dhe mjedisin”, theksoi Sejko.
Në punimet këtij forumi, BSH dhe BB shpallën sot “Strategjinë për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar, për vitet 2023-2025”, një dokument strategjik që paraqet masa konkrete për përgatitjen ndaj sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive që krijon menaxhimi i rreziqeve klimatike.
Burimi: Banka e Shqipërisë