Prej kohësh grupe të ndryshme të bizneseve kanë ngritur shqetësimin e luhatjes së kursit të këmbimit në vecanti të rënies së euros që ka ndikuar në goditjen e fitimeve të tyre.
Pikërisht për këtë cështje sot ka patur një takim mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zoti Gent Sejko, Ministres së Financave Delina Ibrahimaj, dhe përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese.
Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Banka e Shqipërisë gjykon se ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.
Banka e Shqipërisë i ftoi eksportuesit të jenë vazhdimisht të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, e cila ofron instrumentet e duhura për t’u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve.
“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për t’ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve” – u shpreh Guvernatori.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese vlerësuan zhvillimin e këtij takimi si mjaft të frytshëm dhe reagimin e shpejtë të Bankës së Shqipërisë dhe MFE për shqetësimet e ngritura nga ata.
Të dy institucionet (BSH-MFE) mbeten të angazhuara për të ndjekur dhe monitoruar me kujdes situatën me kursin e këmbimit dhe ndikimin e tij në sektorin e eksportit. Nga ana e tij Guvernatori theksoi se urat e bashkëpunimit do të mbeten të hapura dhe institucionet do të ndjekin hapat e nevojshëm në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar situatën nga ana fiskale si dhe bashkëpunimin me sistemin bankar.
Në vijim u dakortësua për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.
Burimi: Banka e Shqiperise