Historiku i sektorit dhe karakteristikat e tij
Industria e lëkurës dhe këpucës ka pasur rëndësi të veçantë për ekonominë e Shqipërisë, gjatë periudhës 1960-1990. Bazuar në modelin e ekonomisë së centralizuar, vendi zhvilloi një sektor për të gjithë zinxhirin, duke filluar nga sigurimi i lëndëve të para dhe i lëkurës së përpunuar dhe të regjur, deri te strukturat e prodhimit të plotë. Rrethi ishte i mbyllur dhe prodhimi synohej për tregun vendas, duke përmbushur, plotësisht, të gjitha kërkesat e tij.
Mbas viteve ‘90, sipërmarrjet e përfshira në grumbullimin dhe prodhimin e produkteve të lëkurës dhe të këpucëve u privatizuan dhe, në shumicën e rasteve, ato e ruajtën destinacionin. Megjithatë, vetëm një pjesë e këtij zinxhiri u vendos përsëri në funksion, kryesisht, për kërkesën që vinte, më së shumti, nga Italia për nënkontraktimin e shërbimeve në Shqipëri, në formën e industrisë fasone.
Statistika të viteve të fundit
Sektori i prodhimit të lëkurës dhe këpucës, në Shqipëri, është një sektor i rëndësishëm dhe me potencial të lartë për ekonominë e vendit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019 numëroheshin, zyrtarisht, 245 fabrika të prodhimit të këpucëve, me një total të punësuarish prej më tepër se 25’600 persona, ose rreth 6% të totalit të punësimit në vend.
Industria e prodhimit të lëkurës dhe këpucës në vend zotëron rreth 20% të totalit të eksporteve, me 480 milionë euro në vit (në vitin 2019).
Ndërsa, për vitin 2020, pesha që zinte vetëm importi i lëkurës së papëpunuar dhe përpunuar ishte 5’778 tonë dhe pesha në eksport ishte 3’359 tonë.
Pesha në eksport
Gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë, Shqipëria ka ulur eksportet me Italinë, Kosovën dhe Spanjën dhe i ka rritur me Gjermaninë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, importet më të larta i ka pasur nga Greqia, Gjermania dhe Serbia, dhe ka pasur përsëri rënie me Italinë, Kinën dhe Turqinë.
Si pasojë e situatës me pandeminë globale, gjatë vitit 2020, eksportet kanë pësuar rënie në sektorin e tekstilit dhe lëkurë-këpucës, ashtu si edhe në sektorët e tjerë të ekonomisë. Pavarësisht kësaj, sektori i tekstilit dhe këpucës mbetet i pari për eksportet në Shqipëri.
Tabela e mëposhtme pasqyron të dhënat në vlerë të importit, për lëkurën, sipas shteteve dhe periudhës kohore 2016 – 2020.
Tabela e mëposhtme pasqyron të dhënat e eksportit në vlerë, për lëkurën, sipas shteteve dhe periudhës kohore 2016 – 2020.
Tabela e mëposhtme pasqyron të dhënat në vlerë të importit, për këpucët, sipas shteteve dhe periudhës kohore 2016 – 2020.
Tabela e mëposhtme pasqyron të dhënat e eksportit në vlerë, për këpucët, sipas shteteve dhe periudhës kohore 2016 – 2020.
Rritja dhe qëndrueshmëria e sektorit
Pandemia e COVID-19 ka krijuar një dinamikë të re në tregun e këpucëve, që kishte nisur edhe para saj. Sektori i lëkurës dhe këpucës, kishte hyrë në një cikël të ri, për shkak të stoqeve të mëdha të krijuara nga një prodhim i konsiderueshëm, në vitin 2017. Shumë nga kompanitë e sektorit të lëkurës dhe këpucës, gjatë kohës së pandemisë për të mbuluar shpenzimet, u detyruan t’i përshtaten tregut duke filluar prodhimin e artikujve njëpërdorimshme për mjekësinë, për kompani të ndryshme ndërkombëtare.
Për sa i përket tendencave të tregut, në këtë sektor, tregtia online dhe plakja e popullsisë po sjell mundësi të reja në prodhimin dhe tregtimin e këpucës.
Me këto ndryshime, fabrikat shqiptare do të duhet të përshtasin prodhimin, pasi kërkesa tani bazohet në një shumëllojshmëri këpucësh dhe atletesh, si kurrë më parë.
Proceset e punës, produktet dhe shërbimet
Hapat që ndiqen për zhvillimin e zinxhirit të vlerës së industrisë së lëkurës dhe këpucës në Shqipëri janë, si më poshtë:
- SA: ku prodhuesi shet vetëm shërbimet e prodhimit, duke montuar pjesët e prera, paraprakisht, të veshjeve ose këpucëve të importuara nga blerësit e huaj;
- CM: ku prodhuesi shet vetëm shërbimet e prerjes dhe të prodhimit dhe importon, përkohësisht, të gjitha materialet, të cilat zotërohen nga klienti;
- CMT: e njëjta gjë si në CM, vetëm se prodhuesi blen disa nga aksesorët, si për shembull fillin për qepje, kopsat;
- Prodhimi me cikël të plotë (FCP): ku prodhuesi blen të gjitha materialet, sipas specifikimeve të klientit dhe me faturat e lëvrimit për vlerën e plotë të produktit;
- Etiketa private (PL): ku prodhuesi dizenjon koleksionet në mënyrë të pavarur ose bashkërisht me klientin. Produktet finale lëvrohen nën markën tregtare të klientit;
- Marka Vetjake (OB): ku firma shet produktin që prodhon nën emrin e markës së vet.
Përmirësimi i cilësisë së produktit e ka zanafillën së fundmi, pasi prodhuesit shqiptarë të këpucëve gjithmonë janë fokusuar në tregtinë CM dhe CMT në vend të tregtisë FCP, e cila sjell nivele më të larta pagash, përfitime dhe tregje më të gjera. Firmat e këpucëve janë më të avancuara për shkak të historikut të bashkëpunimit të tyre, me stilistët më të mirë të markave italiane të cilësisë së lartë.
Produktet më të ekportuara:
Aktualisht, disa prej produkteve më të eksportuara për sektorin e këpucës, janë: çizme, këpucë gjimnastike, këpucë klasike, këpucë me taka, atlete futbolli dhe sportive, sandale, shapka, këpucë alpinizmi, këpucë sigurimi, ortopedike për trajtimin e patologjive skeletike, pantofla.
Teknologjia dhe inovacioni
Industria e prodhimit të lëkurës dhe këpucës është më novatorja e sektorit fason, pasi ka mundur të përditësohet, më shpejt, me trendet e reja globale.
Faktorët kyç që përcaktojnë përhapjen dhe përmirësimin teknologjik, në vendet në zhvillim, janë familjarizimi me njohuritë e avancuara që veprojnë jashtë vendit dhe aftësia thithëse e firmave vendase.
Përhapja teknologjike, në vendet në zhvillim si Shqipëria, varet nga dy faktorë kyç:
I. nga masa e ekspozimit të firmave ndaj njohurive të huaja, veçanërisht në terma të IHD-ve, importet e të mirave kapitale dhe eksporteve të teknologjisë së lartë, por edhe përmes komunikimit me diasporën;
II. nga kapaciteti i firmave vendase për të thithur teknologjitë e reja dhe të avancuara.
AIDA për t’u ardhur në ndihmë kompanive shqiptare në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, gjatë periudhës 2014-2019, ka mbështetur rreth 20 biznese fasone, për blerje pajisjesh teknologjike dhe auditim të kapaciteteve inovative dhe teknologjike, nëpërmjet Fondit të Inovacionit.
Standardet dhe certifikimet
Konkurrenca në treg, në sektorin e lëkurës dhe këpucës, është shumë e madhe dhe për t’u përgjigjur sa më mirë nevojave të kilentëve. Për të rritur besueshmërinë, lind nevoja e certifikimeve si për menaxhimin e cilësisë nga ana e kompanive, ashtu dhe për cilësinë e produkteve që prodhojnë.
Nëpërmjet Standardeve ISO, kompanitë kanë mundësinë të demostrojnë besueshmërinë e tyre tek blerësit, furnitorët, partnerët e biznesit. Besueshmëria nënkupton cilësinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e produkteve dhe/ose shërbimeve.
Sipas shoqatës Proeksport Albania, kompanitë në sektorin e këpucës janë pjesërisht të certifikuara me ISO 9001 – OHSAS 18001 (rreth 15%) e 245 kompanive operative në sektor.
Duke qenë se sektori fason ka qenë fokusi i Qeverisë Shqiptare në vitet e fundit, AIDA, nëpërmjet Fondit të Konkurrueshmërisë, të vënë në dispozicion, kryesisht, për kompanitë eksportuese, ka mbështetur me grant 25 kompani të këtij sektori, me qëllim realizimin e certifikimeve të ndryshme ISO, për periudhën 2014-2019.
Avantazhet e sektorit
Shqipëria gëzon të drejtën e disa marrëveshjeve për tregti të lirë, si: CEFTA 2006, EFTA, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes Turqisë dhe Shqipërisë, anëtarësimi WTO etj.
Avantazhet e tregtisë me Shqipërinë listohen, si më poshtë:
- Krahu i lirë i punës;
- Afërsia gjeografike me tregjet europiane;
- Eksperienca pozitive, shumëvjeçare, me firmat më të njohura europiane;
- Fleksibilitet në rastin e porosive të mëdha dhe të vogla;
- Fuqi punëtore e kualifikuar;
- Dërgesa të shkurtra në kohë në vendet e BE-së;
- Kosto relativisht e ulët e transportit në Europë;
- Aftësi të shkëlqyera të gjuhës së huaj;
- Politika mbështetëse të qeverisë dedikuar këtij sektori.
Është e rëndësishme të theksohet se nëse lëkura do të përpunohet në Shqipëri, ajo mund të blihet lehtësisht nga shoqëritë europiane, që porosisin produkte nga Shqipëria për porositë CMT.
Aktualisht, kontributi i kësaj industrie për tregtinë e huaj në Shqipëri ka rëndësi të madhe, pasi ky kontribut sjell të ardhura nga eksporti dhe ka treguar një rritje të qëndrueshme deri në 230%, që nga viti 1993, sipas të dhënave të INSTAT.
Eksportuesit më të mëdhenj
Ndër eksportuesit më të mëdhenj të këtij sektori, renditen kompanitë:
- Albaco Shoes
- ENDI SHPK
- FITAL SHPK
- ALBA SHOES Group
- REMAL SHPK
- Donianna
- ProDyn
- Pcari
- Sfidal
- Mastorr
- Hotova
- MiTo by Caterina Firenze
Histori suksesi
Ndër kompanitë më të suksesshme që operojnë në sektorin e lëkurës dhe këpucës, në Shqipëri, vlen të përmenden:
Kompania Donianna nisi aktivitetin e saj në vitin 1992 si një biznes i vogël familjar dhe tashmë është transformuar në një grup kompanish, përbërë nga: Donianna SHPK., Rozimpex SHPK dhe ASC 2 SHPK (Albanian Shoes Coorporation). Kjo kompani prodhon dhe tregton në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare markat e saj Donianna, Mici’s, Donianna Green dhe PIN Shoes. Kompania Donianna prodhon me cikël të plotë, që përfshin projektim, modelim, blerje të lëndës së parë, prodhim, eksport dhe shitje me pakicë dhe ka një kapacitet prodhimi prej 5, 000 palë këpucë në ditë.
Kompania Fital është një nga kompanitë shqiptare më të mira ekpsortuese, e themeluar në vitin 2007, me 1000 punëtorë aktualisht. Ajo eksporton në shtete, si: Francë, Itali, Gjermani dhe në shumë vende të tjera të botës me markën e saj “Öpinga Opinga” dhe për marka të tjera të këpucëve në botë. Fital, kryesisht prodhon këpucë burrash, gjithashtu linjat e këpucëve të grave dhe të fëmijëve dhe ka një kapacitet prodhimi me 600, 000 këpucë në vit.
Kompania Mito by Caterina Firenze, u themelua në vitin 2005, në qytetin e Beratit. Me mbi 15 vite eksperiencë në tregun ndërkombëtar, ajo realizon prodhimin industrial e artizanal të këpucëve, sandaleve etj., të çdo grup-moshe, me lëkurë të importit dhe të vendit. Ajo eksporton në Europë dhe në Amerikë nën markat “Caterina Firenza”, “Wrong” dhe “La Poeme” dhe ka një kapacitet prodhimi prej 3’500 palë këpucë në ditë.
Mbështetja e sektorit nga shteti dhe AIDA
Shërbimet e AIDA-s në ndihmë të NVM-ve shqiptare AIDA ofron shërbime për mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme shqiptare me asistencë teknike, trajnime, informacion mbi tregjet, doganat, mbështetje për promovim, nëpërmjet panaireve,
misioneve të biznesit, kërkime tregu dhe publikime të përgjithshme sektoriale, si: anketime, informacion online mbi tregjet e eksportit, databazë importuesish dhe eksportuesish etj.
Enterprise Europe Network AIDA, nëpërmjet zbatimit të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve në Shqipëri (EEN-Albania), mundëson për biznesin shqiptar mbështetje, si:
- Marrëveshje ndërkombëtare (ekspertizë, kontakte, aktivitete për të lidhur kompanitë shqiptare me partnerë potencialë të huaj, për të rritur biznesin e tyre).
- Këshillim për rritje ndërkombëtare (këshillim nga ekspertët për rritje dhe zgjerim në tregjet ndërkombëtare).
- Inovacioni në biznes (shërbime të orientuara nga zgjidhja për të ndihmuar kompanitë të kthejnë idetë e tyre inovative në suksese tregtare ndërkombëtare).
Burimi: AIDA