Sezoni i shegës ka nisur në shtator për shoqërinë “Agro Iliria” e cila në këtë periudhë kryen vjeljen e varietetit Izraelit. E pozicionuar në plantacionet e Karavastasë, çdo shegë e kultivuar nga kjo shoqëri dallon në shije për shkak të kultivimit në toka të kripura. Edhe pse ka më pak rendiment në prodhim, në shije këto shegë janë më të veçante, dhe me ëmbëlsi të jashtzakonshme.
Në një intervistë për Probizz.al, Shpëtim Oseku, administrator dhe bashkë pronar i Agro Iliria, thotë se ky investim është i vetmi i këtij lloji jo vetëm në historinë e bujqësisë në Shqipëri por më gjerë.
Ambicjet e Agro Iliria janë të mëdha:
“Agro Iliria është një shoqëri investitorësh strategjikë, do të arrijë të mbillen 600 hektar. Deri tani janë mbjellë 120 hektarë. Synojmë të ndërtojmë një fabrikë për prodhimin e lëngjëve dhe gjithë nënprodukteve të shegës. Shoqëria, rreth 70% e eksporton në Europë. Përvec vendeve ballkanike pjesën më të madhe e kemi në Londër, pastaj dërgojmë në gjithë shtetet ku ka takime nëpër panaire dhe klientët vijnë duke u shtuar. Kështuqë përvec Italisë, Anglisë dhe Gjermanisë, sot edhe shumë vende Baltike janë ofruar për tërhequr produktin tonë, që nga Polonia, Ukraina, Estoni, Lituani e të gjitha vendet e tjera. Duhet të prodhojmë produkt të mira dhe mundësia dhe ofertat janë, sepse Europa nuk e prodhon këtë shegë. Është frut i mesdheut.”- thotë Z. Oseku.
Në tetor Agro Iliria nxjerr në treg varietete të tjera izraelite që vijojnë deri në fund Nëntor. Sipas drejtuesve të saj, prodhimet sivjet nuk ishin shumë të kënaqshme dhe kjo ka ndodhur në të gjithë Mesdheun sepse pranvera ishte e ftohtë,e gjatë dhe me shumë lagështirë. Agro Iliria pretendon një kapacitet prodhues prej 1 mijë ton në vit.
Agro Iliria Group është themeluar si shoqëri në vitin 2015, bazuar në lagunën e Karavastasë nëpërmjet një plani fillestar investimesh prej 6.6 milion euro dhe sipërfaqe prej 1100 ha, me synim që të vëri në shfrytëzim mjaft terrene të kripura të kësaj zone. Në vitin 2018, Këshilli i Investimeve Strategjike i dha Agro Iliria Group statusin e investitorit strategjik dhe një koncesion prej 800 hektarësh me kosto 1 euro për 99 vjet përdorim. Synohet mbjellja dhe futja në përdorim e prodhim e 600 ha me kulturën e shegës dhe 170 ha për agroturizëm.