Sipas një anketë në familjet shqiptare të realizuar nga INSTAT rreth 23 për qind e popullsisë shqiptare është e rriskuar të jetojë në varfëri.
Sipas anketës treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri në vitin 2018 është 23,4 %. Në vitin 2017, ky tregues ishte 23,7 %, duke pësuar një rënie me 0,3 pikë përqindje.
Krahasuar me shtetet e tjera të BE në lidhje me treguesin e rrezikut për të qenë i varfër, për vitin 2018, Shqipëria e vlerësuar me 23,4 % renditet para Serbisë (24,3 %) dhe Rumanisë (23,5 %).
Treguesit e varfërisë në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtareve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.
Në Shqipëri kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2018 është vlerësuar 160.742 Lekë krahasuar me 145.017 lekë që ishte në vitin 2017.
Në vitin 2018, janë vlerësuar rreth 671.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt rreth 681.000 të vlerësuar në vitin 2017. Kjo tregon se niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare të disponueshme është rritur dhe përqindja e individëve në rrezik për të qenë të varfër është ulur me rreth 1,5 %.
Shkalla e thelluar e privimit material tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material. Ky tregues është vlerësuar 38,3 % në vitin 2018 kundrejt 41,1 % vlerësuar në vitin 2017, duke shënuar një rënie prej 2,8 pikë përqindje.