Shqipëria renditet e treta në Europë për energjinë e rinovueshme. Sipas raportit të Eurostat vendi ynë është pas Suedisë dhe Finlandës sa i përket konsumit të energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme dukë lënë pas të gjitha vendet e tjera të BE-së.
“Shqipëria në podium, në Europë për energjinë e rinovueshme. Kemi kaluar objektivat europiane, duke u renditur kështu ndër vendet e para. Një tregues i shkëlqyer për strategjinë e ndjekur deri më tani dhe një udhërrëfyes i qartë për rrugën në vijim” shkruan ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku në një postim të saj në rrjetet sociale.
Në raport evidentohet se konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme në Shqipëri rezultoi në 44%.
Përdorimi i energjisë së rinovueshme redukton emëtimet e gazeve serrë dhe heq varësinë nga tregjet e karburanteve fosile (nafta dhe gazi).
Gjithashtu mund të stimulojë punësimin në BE, përmes krijimit të vendeve të punës në teknologjitë e reja të gjelbra.