Mbështetur nga FAO, aktivitete të shumta ndodhën javët e fundit në Shqipëri lidhur me reduktimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tij. Në dekadat e fundit, vendi është përballur me përmbytje, thatësira, ngjarje ekstreme të motit, dhe specie invasive në brigjet detare.
Për t’i adresuar këto, FAO, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ndërmorri disa aktivitete për ndërgjegjësimin e fermerëve, pronarëve të vegjël, sektorin privat, institucionet publike, akademinë dhe shoqërinë civile lidhur me efektet e ndryshimeve klimatike. Për më tepër, një sërë aktivitetesh u zhvilluan gjatë shtatorit duke përfshirë trajnime që ndihmojnë në zhvillimin e një strategjie zbatimi dhe plan veprimi për masat përshtatēse ndaj ndryshimeve klimatike. Në serinë e aktiviteteve, ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë të FAO-s paraqitën masat përshtatëse dhe rekomandime për disa sektorë, përfshirë bujqësinë dhe të lashtat, pylltari, blegtori, lagunat, kullota dhe livadhe, peshkimin dhe akuakulturën.
“Është bërë një punë voluminoze dhe, për herë të parë, bujqësia, blegtoria, peshkimi dhe akuakultura ka marrë vëmendjen si sektori kryesor në një program përshtatjeje ndaj ndryshimeve klimatike,” tha Arben Kipi, Ndihmës Përfaqësuesi i FAO, duke shprehur vlerësime për procesin dhe bashkëpunimin me ministritë e linjës. “Ka ende shumë për të bërë, dhe ne mund të shfrytëzojmë potencialet e zonave rurale të Shqipërisë”, tha Kipi.
Fushatë për më shumë qëndrueshmëri
Për të mësuar më shumë rreth masave të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, fushata ndërgjegjësuese e FAO-s synoi zonat më të prekura në Shqipëri, duke prezantuar tek fermerët dhe peshkatarët një qasje të bazuar në ruajtjen dhe rritjen e ekosistemeve, menaxhimin e burimeve natyrore, duke vlerësuar praktikat më të mira bujqësore dhe forcimin e proceseve të brendshme për zhvillim të qëndrueshëm rural.
Fushata ishte pjesë e Javës së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) 2021, organizuar nga zyra e OKB në Shqipëri, e cila filloi në qytetin bregdetar veriperëndimor, Lezhë, me pjesëmarrjen e Koordinatores së Përhershme të OKB-së, Fiona McCluney.
“Ky është një vend i mirë për të filluar sepse tregon se SDG-të hyjnë në veprim,” theksoi McCluney, duke shtuar se zona po përparon mirë në realizimin e një prej objektivave të SDG që synon të ruajë 10 përqind të burimeve detare dhe ekosistemit.
Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Lezhë Pjeter Toma vuri në dukje pasojat e ndryshimeve klimatike në lagunat në Shqipëri, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit si përmbytjet dhe thatësirat kanë patur ndikim tek familjet e fermerëve të zonave përreth.
Disa nga masat e përshtatjes të theksuara gjatë fushatës ishin: ripyllëzimi përgjatë bregut për të parandaluar përmbytjet dhe erozionin e bregut, mirëmbajtjen e kanaleve të komunikimit të ujit për të ruajtur rrjedhjen e ujit nga deti dhe për të përmirësuar cilësinë e ujit dhe stokun e peshkut, zhvillimi i strategjisë së menaxhimit të tokës dhe ujit për të rritur produktivitetin e tokës dhe ujërave të lagunës.
Diku tjetër, në Durrës dhe Marikaj, peshkatarët dhe fermerët folën për rritjen e temperaturës së ujit, që i bën speciet e peshkut të migrojnë në ujërat më të thella, si dhe pushtimin e specieve të huaja në brigjet detare siç është gaforrja blu, një problem aktual për peshkatarët e zonës.
Ekipi gjithashtu vizitoi qytetin e Shkodrës në Veri, që u godit nga përmbytjet (tre herë në dekadën e fundit), si dhe nga thatësira e zgjatur në sezonin e verës, për të takuar fermerët e perimeve dhe kulturave, si dhe blegtorët.
Rekomandimet e ekspertëve përfshijnë përdorimin e serrave për të mbrojtur të korrat dhe perimet nga breshri, sistemet moderne të ujitjes (tubat e shiut dhe ujitjen me pika), diversifikimin e llojeve të kafshëve të fermave dhe përzierjen e blegtorisë, siç është sistemi i ushqimit të qëndrueshëm gjatë kullotjes së dimrit dhe kullotave në pranverë-vjeshtë.
FAO mbështet Qeverinë e Shqipërisë për të rritur Kontributet e Përcaktuara Kombëtare (Nationally Determined Contribution) duke u fokusuar në sektorët e bujqësisë, pyjeve dhe përdorimit të tokës përmes Fondit të Asistencës Teknike, në kuadër të Paketës së Veprimit të Partneritetit NDC për ndryshimet klimatike.
Burimi: FAO