Shqiptarja e suksesshme Mira Murati, që mban postin e shefes së teknologjisë në kompaninë e inteligjencës artificiale OpenAI, ka bërë daljen e parë publike në prezantimin e një produkti të kompanisë. Ajo zbuloi zhvillimin më të fundit në përmirësimin e softuerit të inteligjencës artificiale GPT. Në fjalën e saj, Murati theksoi se kompania po zbulonte një version desktop për GPT në mënyrë që të rrisë më tej ndërveprimin e përdoruesve.
“GPT-4o ofron inteligjencë të nivelit GPT-4, por është shumë më i shpejtë dhe përmirëson aftësitë e tij në tekst, pamje dhe audio. Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi qenë shumë të fokusuar në përmirësimin e inteligjencës së këtyre modeleve dhe ato janë bërë mjaft të mira. Por kjo është hera e parë që ne po hedhim vërtet një hap të madh përpara lidhur me lehtësimin e përdorimit. Kjo është tepër e rëndësishme sepse po shohim të ardhmen e ndërveprimit mes nesh dhe pajisjeve teknologjike”, tha shefja e Teknologjisë në OpenAI, Mira Murati.
Produkti i ri GPT-40 do të shfrytëzojë fuqinë e softuerit më të fundit dhe të përmirësuar të inteligjencës artificiale të kompanisë GPT-4, i cili aktualisht është i disponueshëm vetëm për abonentët me pagesë. /Businessmag